”Për fëmijët”, shkrimi mbi raketën që goditi stacionin e trenit, rusët: Është ukrainase

09/04/2022 12:18

Njëra prej dy raketave ruse që goditën stacionin e trenit në Kramatorsk të Ukrainës, kishte të shkruar në anë fjalët “Për fëmijët”.

Zyrtarë ukrainas postuan dhe foto të raketës, shkrimi më të cilën është në ngjyrë të bardhë.

Të paktën 50 vetë humbën jetën nga tragjedia e djeshme dhe mbi 100 të tjerë u plagosën, qendra ukrainase e komunikimit tha se mes viktimave ishin dhe dy të mitur.

Shpjegimi i dhënë është se mesazhi në fjalë nënkupton se raketa është dërguar si shpagim për fëmijët, e jo se qëllimi ishte të përdorej mbi ta.

Propaganda ruse i akuzon trupat ukrainase për vrasjen e fëmijëve, kjo edhe pse janë trupat e Moskës që po bombardojnë qytetet e shënjestrojnë civilë në vendin fqinj, e goditën edhe teatrin e Mariupolit ku strehoheshin banorë lokalë e të mitur.

Por polemikat kanë rrethuar raketën Toschka-U, me rreze veprimi 120 kilometra. Arma, prodhim i viteve 70, është përdorur në Siri por rusët kanë vite që kanë hequr zyrtarisht dorë prej saj, ndërsa ukrainasit jo.

Sipas Moskës, kjo është një raketë e përdorur aktualisht vetëm nga rebelët.  Ajo pretendon se atyre u ka dalë nga kontrolli pas lëshimit në zonën e Dobropolye.

Por nga ana tjetër, edhe rusët vetë nuk do ta kishin pasur problem t’i nxirrnin armë të tilla nga depot e t’i përdornin në front. Pentagoni është i bindur se kjo është ajo që ka ndodhur vërtet.

Një numër i madh njerëzish kishin vërshuar në stacionin e trenit në Kramatorsk, një të paktët ende në funksionim në lindje të Ukrainës, me qëllimin të largoheshin nga rajoni i Donbasit ku pritet të përqendrohet tani vëmendja e Moskës, ushtria e së cilës u tërhoq nga veriu i vendit dhe hoqi dorë nga përpjekjet për marrjen e Kievit.

Shtëpia e Bardhë tha se administrata e presidentit Joe Biden do të mbështesë hetimet për sulmin në një stacion treni në Ukrainë, për të cilin autoritetet thanë se ishte i mbushur me gra, fëmijë dhe refugjatë të moshuar.

Ajo i quajti më herët pamjet nga stacioni i trenit “të tmerrshme dhe të trishtueshme”.

Presidenti Volodymir Zelensky bëri thirrje për një “përgjigje të vendosur” globale pas atij që e përshkroi si një “tjetër krim lufte për të cilin Rusisë do t’i duhet të japë llogari”.

Top Channel