Gjykata e konsideron Boris Beckerin pjesërisht fajtor

09/04/2022 09:24

Idhulli i tenisit Boris Becker u shpall fajtor për katër nga 24 pikat e akuzës në procesin për vonim të procesit të falimentimit. Tani ai mund të përballet me dënim me burg.

Ish-tenisi profesionist gjerman, Boris Becker, u shpall pjesërisht fajtor nga trupi gjykues i gjykatës Southwark Crown. Becker e ndoqi vendimin me fytyrë të skuqur deri tek veshët. Nga 24 pikat e akuzës kundër 54-vjeçarit, trupi gjykues konsideroi si të provuara akuzat për fshehjen e llogarive bankare, për mosdeklarimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe për manipulime me kredi dhe borxhe.

Gjyqtarja Deborah Taylor do ta shpallë vendimin e dënimit kundër fituesit tri herë të Turneut të Wimbledonit më 29 prill.

Në vitin 2017 një gjykatë britanike e shpalli Boris Beckerin, si person të falimentuar që nuk është në gjendje të shlyejë borxhet të paguajë pagesat e ndryshme. Sipas prokurorit Boris Beckeri nuk kishte bashkëpunuar mjaftueshëm në procedurat e mëvonshme të falimentimit.

Dënim me burg?

Gjykimi ndaj Boris Becker-it nisi më 21 mars. Avokati i Becker-it, Jonathan Laidlaw, tha se pas fitores së të parë në Wimbledon në vitin 1985 kur ishte vetëm 17-vjeç Beckeri ka bërë një jetë të jashtëzakonshme. Ai nuk ka ditur se si t’i administronte paratë dhe pasuritë e tij dhe nuk kishte njohuri financiare. Avokati tha se Beckeri u ka besuar shumë këshilltarëve të tij dhe ka qenë shumë i varur prej tyre. Avokati Laidlaw tha se klienti i tij nuk është përpjekur t’i mashtrojë me qëllim autoritetet.

Pasi juria dëgjoi për rreth tri javë të gjithë ata që ishin përfshirë në proces, ajo e gjeti Beckerin fajtor në katër prej 24 pikave të akuzës. Pas vendimit të jurisë, gjyqtarja Taylor do të vendosë për masën e dënimin në fund të prillit. Nëse Becker do të shpallej fajtor për të gjitha 24 pikat e akuzës, ai mund të dënohej me deri në shtatë vjet burg.

Pas përfundimit të karrierës së tij në vitin 1999 Becker është përballur vazhdimisht me organet e drejtësisë. Në vitin 2002 ai u dënua nga gjykata e Mynihut me kusht si dhe me gjobë për evazion fiskal./DW

Top Channel