“Astronautë civilë” në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, hera e parë në histori

09/04/2022 16:53

Ekipi i parë i përbërë tërësisht nga civilë mbërriti në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, me në bord tre biznesmenë që për të përjetuar këtë eksperiencë të rrallë, kanë paguar 55 milionë dollarë secili.

Investitori kanadez dhe filantropi  Mark Pathy, filantropi amerikan Larry Connor dhe ish piloti i forcave ajrore izraelite Eytan Stibbe shkruan një faqe të re në histori në momentin e ngritjes në ajër nga qendra hapësinore Kennedy në Florida.

Ekuipazhi i këtij rrugëtimi të privilegjuar përfshin dhe astronautin veteran të NASA-s, Michael López-Alegría, i cili ka rolin e komandantit.

Ata u nisën me një  kapsulë Dragon të kompanisë Space X të miliarderit Elon Musk, në eventin me te fundit kyç të komercializimit të hapësirës.

Plani është që të qëndrojnë 10 ditë në kozmos, ku do ta kalojnë një pjesë të kohës së tyre në kërkime dhe eksperimente shkencore, mjekësore e teknike.

Tre biznesmenët e pasur mund të duket se kanë shumë të përbashkëta me pasagjerët e kamur që bëjnë xhiro hapësinore falë shërbimeve të  Blue Origin dhe Virgin Galactic të ofruara nga Jeff Bezos dhe Richard Branson.

Por Axiom Space që drejton misionin, theksoi se treshja do të kryejë ‘hulumtime kuptimplote’  dhe nuk janë thjesht “turistë të hapësirës”, ndërsa është e para herë që qytetarë të zakonshëm udhëtojnë drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor me një anije kozmike të prodhuar në SHBA.

 

 

Top Channel