Një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në përgjigje të njoftimeve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, qeveria bjelloruse, sipas raporteve në disa media të huaja, miratoi listën e vendeve jo miqësore.

Vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave është publikuar në Portalin Kombëtar Ligjor të Internetit. Lista përfshin të gjithë shtetet anëtare të BE-së, si dhe 12 vende të tjera, ndër të cilat edhe Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi hyn në fuqi nga dita e publikimit zyrtar.

Presidenti i Bjellorusisë ka nënshkruar të enjten një dekret që synon, siç thuhet, “mbrojtjen e subjekteve ekonomike kombëtare nga tërheqja e fondeve nga llogaritë e tyre me kërkesë të rezidentëve të shteteve të huaja që kryejnë veprime armiqësore kundër personave juridikë ose individëve bjellorusë”.

Në muajin mars, Rusia vendosi tre shtete të Ballkanit, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në listën e zezë të vendeve jo miqësore, e cila përfshinte dhe shtetet e BE. në dekret thuhej se qeveria ruse kishte vendosur të ndërmarrë masa kundër vendeve në listë.

Top Channel