Reagimi i Kinës mbërriti i ashpër, ashtu siç edhe pritej pas njoftimit se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi do të vizitojë Tajvanin, e para vizitë e këtij niveli kjo në 25 vjet në ishullin që sot konsiderohet më i rrezikuar se kurrë.
Ekziston frika se Kina mund të ndjekë shembullin e Rusisë në Ukrainë e të përpiqet ta marrë përmes forcës ushtarake kontrollin e atij që e sheh si provincë të shkëputur të saj.
Është parashikuar që Pelosi të mbërrijë në Tajvan të dielën, pas një ndalese në Japoni. Kreu i fundi në detyrë i Dhomës së përfaqësuesve që e bëri një gjë të tillë ishte Newt Gingrich në 1997. Por Pekini kërkon që vizita e Pelosit, një kritike e ashpër e Kinës veçanërisht për çështjet e te drejtave te njeriut, të mos ndodhë, e nuk ngurron të kalojë dhe në kërcënime.
“Nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin t’i bëjnë gjërat sipas mendjes së tyre, Kina do të marrë masa të forta në mbrojtje të sovranitetit të saj kombëtar dhe integritetit territorial. Të gjithë pasojat e mundshme që do të rrjedhin nga ky qëndrim i saj, do të rëndojnë krejtësisht mbi palën amerikane“, thotë Zhao Lijian.
E diela shënon 43 vjetorin e kthimit në ligj nga Shtetet e Bashkuara të Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, i cili udhëzon lidhjet e ngushta në mungesë të marrëdhënieve zyrtare diplomatike dhe ruan një angazhim të SHBA-së për t’i ofruar Tajvanit mjetet për t’u mbrojtur.
Pelosi është një nga politikanet e profilit më të lartë të Partisë Demokratike në pushtet dhe e dyta në linjën presidenciale të SHBA-së pas zëvendëspresidentit. Tajvani ka marrë zemër nga mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së e ofruar nga administrata Biden, e cila ka folur vazhdimisht për angazhimin e saj “të fortë” ndaj ishullit.
Top Channel