Ukraina do armë! Blinken: SHBA nuk do të lejojë asgjë që të pengojë dërgimin e tyre në Ukrainë

07/04/2022 22:15

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, siguroi të enjten Ukrainën se Uashingtoni nuk do të lejojë asgjë që të pengojë dërgimin e armëve që asaj i nevojiten për të luftuar kundër Rusisë.

“Nuk do të lejojmë asgjë që do të pengonte dërgimin (e armëve) që iu nevojiten ukrainasve dhe që ne mendojmë se janë të efektshme”, tha ai.

Blinken i cili u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO, tha se SHBA kishte paralajmëruar përpara pushtimit të Rusisë se një pjesë e “planit të fushatës së Kremlinit ishte të shkaktonte mizori.

Ne e kishim thënë se Rusia kur të kryente këtë agresion, një pjesë e planit të saj ishte të shkaktonte mizori, të kryente llojet e krimeve që po shohim tani, të terrorizonte popullsinë civile. Dhe kështu kjo , siç e pamë, ishte pjesë e planit gjatë gjithë kohës“.

Blinken shtoi se Shtetet e Bashkuara po ruajnë dhe po shtojnë presionin ndaj Kremlinit.

Të enjten vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të forcojnë mbështetjen për Ukrainën dhe po ofrojnë një gamë të gjerë sisteme armësh, bëri me dije Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të ministrave të jashtëm të aleancës.

Deklarata e tij erdhi pasi ministri i jashtëm i Ukrainë kërkoi me ngulm dhe qartë se Ukrainës i duhen armë dhe i duhen sa më shpejt.

Top Channel