Në hyrje të fshatit Shtyllas pamjet e makinerive bujqësore të braktisura e të mbuluara nga barishtet e këqija janë lajmëtaret e para të krizës.

Ky fshat i njësisë administrative Levan në Fier jeton me bujqësi e blegtori, por dita ditës po braktiset. Sepse nga të mbjellat e lopët nuk jetohet më.  Një banor i zonës na tregon se i biri është ndër të fundmit djem të fshatit që është larguar vetëm dy ditë më parë.

Banorët thonë se çmimi i qumështit që ata prodhojnë nuk po rritet si nafta.  Lufta në Ukrainë u ka rritur çmimet e plehut për tokën dhe këtë vit shumë prej tyre nuk kanë hedhur pleh.

Me pakësimin e të ardhurave po ikën dhe rinia nga fshati. Shkolla ka më pak nxënës e po shkon drejt mbylljes, ndërsa edhe një qendër shëndetësore  që kishin, ua zhvendosën  në fshatin tjetër. I njohur dikur si fshati i të persekutuarve pak ka ndryshuar në Shtyllas edhe në demokraci, sepse banorët ndjehen sërish të harruar.

Top Channel