Rusia pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut/ Serbia ndryshon qëndrim, kush votoi kundër

07/04/2022 17:57

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pezulloi të enjten Rusinë nga këshilli i i të drejtave e njeriut të OKB.

Me 93 vota pro, 24 kundër dhe 58 të tjerë që abstenuan, asambleja miratoi draftin e inicuar nga SHBA-të me arsyetimin se Rusia ka kryer shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Ukrainë.

Ajo që u vu re menjëherë pasi votat u reflektuan në ekranin kryesor të sallës ishte se Kina votoi kundër , ndërsa kësaj radhe Serbia vendosi ti bashkohej grupit që votoi pro, ku renditet edhe Shqipëria.

Para votimit, ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun justifikoi votën kundër duke thënë se përjashtimi i Rusisë do të krijojë precedent të ri të rrezikshëm që do të prodhojë pasoja të rënda.

Para se të niste votimi ambasadori i Ukrainës në OKB kërkoi mbështetje masive nga anëtarët për të përjashtuar Rusinë në këshilli i të drejtave të njeriut , Ai tha se ato shtete që do të zgjidhnin butonin për të votuar kundër , nuk po bënin gjë tjetër veçse po tërhiqnin këmbëzën e një arme për të krijuar një pikë të kuqe në ekran njësoj si gjaku i ukrainasve që kanë humbur jetën nga sulmi rus .

Nga ana tjetër Përfaqësuesi i Rusisë, Genadi Kuzmin tha se votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut është një përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur pozicionin e saj dominues dhe kontrollin total për të vazhduar përpjekjen e saj për kolonializmin e të drejtave të njeriut në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Rusia kishte paralajmëruar më herët se vendet që votojnë pro ose abstenojnë ndaj nismës amerikane për të larguar Moskën nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut do të përballen me pasoja, pasi veprimi i tyre do të shihet prej saj si “gjest jomiqësor”.

Që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në 24 shkurt, Asambleja ka miratuar dy rezoluta që dënojnë veprimet e Moskës, një nga të cilat u propozua nga Shqipëria. Rusia është në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin prej 47 anëtarësh.

Këshilli, me bazë në Gjenevë, ka një funksion kryesisht simbolik, por ai mund të autorizojë hetime për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Top Channel