Rusia kërcënon vendet “jo mike”: Pasoja nëse përjashtohemi nga Këshilli i OKB-së!

07/04/2022 13:22

Rusia paralajmëroi se vendet që votojnë pro ose abstenojnë ndaj nismës amerikane për të larguar Moskën nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut do të përballen me pasoja, pasi veprimi i tyre do të shihet prej saj si “gjest jomiqësor”.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën se do të kërkonin pezullimin e Rusisë nga ky organizëm pasi Ukraina i akuzoi trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në qytetin e Bucha. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me 193 anëtarë në Nju Jork pritet të votojë shumë shpejt mbi këtë masë.

Një shumicë prej dy të tretash e anëtarëve me votim, ku abstenimet nuk numërohen, mund ta pezullojë një vend nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut me seli në Gjenevë, për kryerjen e shkeljeve të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut. Misioni i Rusisë në Kombet e Bashkuara u bëri thirrje vendeve që “të flasin kundër asaj që e quajti rezolutë anti-ruse”.

Vlen të theksohet se jo vetëm mbështetja për një iniciativë të tillë, por edhe një pozicion i barabartë në votim (abstenim ose mospjesëmarrje) do të konsiderohet si një gjest jo miqësor”, thuhet në shënim. Por  zëdhënësja e misionit të SHBA në Kombet e Bashkuara, Olivia Dalton, deklaroi se “kërcënimi i hapur i Rusisë ndaj vendeve që votojnë për pezullimin e saj nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk është gjë tjetër veçse një prove më shumë se ajo duhet larguar vërtet.

Që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në 24 shkurt, Asambleja ka miratuar dy rezoluta që dënojnë veprimet e Moskës, një nga të cilat u propozua nga Shqipëria. Rusia është në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin prej 47 anëtarësh. Këshilli, me bazë në Gjenevë, ka një funksion kryesisht simbolik, por ai mund të autorizojë hetime për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Top Channel