83 vjet më parë italianët pushtuan Shqipërinë/ Përkujtohet në Durrës rezistenca antifashiste shqiptare

07/04/2022 11:27

83-vjetori i rezistencës antifashiste shqiptare është përkujtuar sot në Durrës.

Autoritetet vendore, veteranë dhe familjarë të dëshmorëve bënë homazhe pranë monumentit të Heroit të Popullit Mujo Ulqinaku, që u shndërrua në simbol të rezistencës në ato ditë të vështira për vendin. Të pranishmit nderuan kujtimin e atyre që dhanë jetën për të ndalur pushtimin fashist.

”Kjo është një ditë e shënuar për mua dhe të gjithë familjen time. Sa jam bërë kaq çdo vit kemi ardhur këtu. Kujtojmë gjyshin dhe heroin. Falenderoj dhe Durrësin që gjithmonë e ka vlerësuar vepruar veprën e gjyshit tonë”, thotë Ilda Ulqinaku, mbesa e heroit Mujo Ulqinaku.

Në orët e para të datës 7 prill të vitit 1939, Italia fashiste nisi nga porti i Durrësit pushtimin e Shqipërisë. Ndonëse me armatim dhe forca të pakta, pushtuesit u pritën me armë nga kapter Mujo Ulqinaku dhe të tjerë luftëtarë, duke i sprapsur disa herë trupat italiane.

Rezistenca shqiptare në bregdet u thye vetëm pas goditjeve me artileri të rëndë nga ana e trupave fashiste. Pas futjes në qytet të forcave pushtuese, lufta u zhvendos në rrugë dhe rrugica, ndërsa pushtuesit vijuan drejt kryeqytetit, Tiranës.

Pushtimi italian më 7 prill 1939 konsiderohet një nga aktet e para agresive të fashizmit në Evropë. Luftimet më të ashpra qenë në Durrës, por rezistencë pati dhe në Vlorë, Sarandë e Shëngjin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA