Ministrat e NATO-s takim për Ukrainën: Moska do marrë Donbasin

06/04/2022 12:34

Ministrat e Jashtëm të vendet anëtare të NATO-s mblidhen sot në Bruksel për një takim dyditor, ku do të diskutojnë mënyrën më të mirë për ta përkrahur Ukrainën në fazën e ardhshme të konfliktit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Aleanca pret që Moska do të tentojë të marr nën kontroll “tërë” rajonin e Donbasit në lindje, me qëllimin e vetëm, krijimin e një korridori nga Rusia drejt Krimesë së aneksuar.

Ai shtoi se aleatët kanë kohë që ta ndihmojnë ushtrinë ukrainase që të përgatitet për këtë ofensivë. Stoltenberg tha se Rusia po planifikon një ofensivë “shumë të përqendruar”. “Ne tani po shohim një lëvizje të madhe të forcave ruse që po largohen nga Kievi për t’u rigrupuar, riarmatosur dhe furnizuar dhe për të ndryshuar fokusin e tyre në lindje”, u shpreh ai.

Komentet e Stoltenbergut duket se konfirmojnë njoftimin që Moska bëri në fund të marsit, duke thënë se do të përqendrohet në “çlirimin e plotë të Donbasit”, pasi kjo zonë, ku gjenden rajonet Donjeck dhe Luhanks, pjesërisht ka qenë e pushtuar nga separatistët pro-rusë që prej vitit 2014. Stoltenberg tha se po ashtu se kjo do të ishte një fazë e re dhe e rëndësishme e pushtimit të Rusisë, që nisi më 24 shkurt.“Ripozicionimi i trupave ruse me gjasë do të marrë kohë, ndoshta disa javë”, tha ai.Sipas tij, kjo kohë është “jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët e NATO-s të ofrojnë mbështetje” për Ukrainën.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s të mërkurën dhe të enjten pritet të diskutojnë se si do të dërgojnë më shumë armë kundërtanke, municion dhe furnizime mjekësore në Ukrainë. Në takim merr pjese dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Top Channel