“Debat urgjent për Ballkanin”/ Pesë kryediplomatë të BE-së: Rajoni, në rend dite

06/04/2022 15:36

Me ofensivën ruse në Ukrainë, gjithmonë e më shumë po tërhiqet vëmendja edhe ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, i kërkuan me insistim shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, që të vendosë me urgjencë në rend dite rajonin në takimin e radhës së Këshillit të Çështje të Jashtme.

Në një letër dërguar shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell, ata nenvizuan se duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e bllokut, është e domosdoshme që Këshilli i Çështjeve të Jashtme, të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor. “Situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm pas agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë që nga diskutimi ynë i fundit për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, ai ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh pozitën kyçe strategjike si rajon i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së”, thuhet në letër.

Aty vlerësohej vizita që Borell bëri në mars në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë, e cila dëshmoi sipas ministrave përkushtimin e fuqishëm të bllokut për Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, ministrat kërkuan që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

Takimi i radhës i ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 11 prill në Luksemburg.

Top Channel