Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet për miellin, vajin, sheqerin dhe orizin, katër produktet ushqimore bazë që do të monitorohen në vijim prej tij.
Sipas vendimit që ka hyrë në fuqi një ditë më parë, por i bërë publik sot konsumatorët do ta blejnë sheqerin në markete e supermarkete për 123 lekë/ kg.
Ndërsa vaji do të shitet për 321 lekë/litri, mielli jo më shumë se 90.5 lekë/kg dhe për orizin çmimi i përcaktuar është 104 lekë/kg.
Ndër të tjera, Bordi i Transparencës vendosi edhe miratimin e marzheve të fitimit që do të zbatohen, si për tregtarët me shumicë ashtu edhe për shitësit me pakicë që tregtojnë këto produkte në treg.
Tregtarët e vegjës që nuk zbatojnë vendimin e bordit dhe shesin këto produkte bazë mbi çmimin e përcaktuar prej tij do të ndëshkohen me 2 milionë lekë, ndërsa për bizneset e shumicës gjoba arrin në 10 milionë lekë. Nëse subjektet kapen në shkelje të përsëritur, akti normative parashikon konfiskim të mallit dhe mbyllje të aktivitetit.
Bordi i Transparencës për Produktet e Shportës dhe ai për Karburantet të ngritura me qëllim caktimin e çmimeve tavan dhe monitorimin e këtyre produkteve si pasojë e situatës së krijuar në treg sipas qeverisë do të funksionojnë deri në përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Përveç tyre, Financat kanë lajmëruar edhe ngritjen e një bordi të tretë për monitorimin e inputeve bujqësore, për të garantuar furnizimin për një periudhë minimale 3-mujore në tregun vendas.
Top Channel