Ethet e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, që do të zërë vendin e Ilir Metës në Korrik 2022, kanë nisur të afrohen, me afrimin e majit.

Këtë proces  po e udhëheq shumica e Edi Ramës përmes negociatorëve Balla, Gjiknuri e Spiropali. Problemi është te pala tjetër.

Nga kampi  PD-së, duket sikur zgjedhja e presidentit duket se nuk është çështje primare. Ne fakt është. Jo për vendin po për vetë PD.

I interesuari më i madh në emër të faktorizimt për qëllime të brendshme kontrolluese të PD, është Sali Berisha të cilit socialistët ia prenë biletën pa kthim, si i përjashtuar nga ky proces. Sot këtë e konfirmoi dhe Yuri Kim, duke takuar Alibeajn dhe cilësuar atë, kryetar në detyrë të Partisë Demokratike. Por edhe e majta duket se ka zhvillime brenda saj, derisa procesin, megjithëse ne distancë, po e drejton vetë kryeministri Edi Rama.

Pasi i kërkoi deputetëve të tij të listojnë tre emra kandidatësh edhe përmes zarfeve anonim,  Edi Rama në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar hodhi piketat e para se si ai e shikon identikitin e presidentit të ri.

Burime nga kjo mbledhje i treguan  Top Channel qëndrimin e Ramës. Kryesocialisti citohet të ketë deklaruar se: Presidenti i ardhshëm jo domosdoshmërisht duhet të jetë nga PS.

Këtë qëndrim Rama e ka avancuar më tej kur u ka thënë deputetëve të tij pse jo një president 24 karat socialist.

Sipas Ramës “kjo do të risillte, një polemike të vjetër me akuza se shumica socialiste ka në dorë të gjitha institucionet.

Por vetë në selinë rozë, ky mendim mund të mos gjejë shumë përkrahje. Presidenti i fundit, ose më saktë i vetmi që ka dalë nga socialistet, është Rexhep Mejdani, në shtatorin e largët të vitit 1997.

Shumë drejtues socialiste, përfshirë Taulant Ballën, kanë deklaruar vitin e shkuar, se tashme ka ardhur koha qe presidenti te dale nga kjo parti. Deputetët socialist kanë afat të dorëzojnë emrat e tyre të preferuar deri me 29 Prill. Hapja e zarfave do tregojë se cili qëndrim do triumfojë. Deri tani ne zyrën e Taulant Ballës, nuk ka mbërritur ende zarfi i parë.

Por në korridoret e selisë rozë nuk mungojnë emrat e parë që shihen si kandidatë potenciale. Disa deputetë socialist të kontaktuar nga Top Channel, në kushtet e anonimatit shikojnë kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla si zgjedhje te parë. Zonja Nikolla gëzon një mbështetje të gjerë tek të majtët, bashkë me vlerësimet e freskëta të amerikanëve.

Të hënën pasi Lindita Nikolla përcolli trojkën e negociatorëve presidencial të PS, priti menjëherë në zyrën e saj mbasadoren e shteteve te bashkuara, Yuri Kim, e njohur edhe si mbështetëse e kauzës së grave të fuqishme në politikë, nuk kurseu një cicërimë me theks presidencial në favor të kryeparlamentares.

Ne vlerësojmë lidershipin e kryetares Lindita Nikolla, në mundësimin e debatit të rregullt e diskutimeve prej deputetëve, në emër të qytetarëve, duke demonstruar se askush nuk është mbi ligjin, e duke forcuar lidhjet mes SHBA dhe Shqipërisë me institucionet demokratike”, shkroi Kim.

Por zakonisht zgjedhjet e para, sidomos në fushata presidenciale, shndërrohen edhe në të djegurit e parë. Aq me tepër kur një herë në katër vjet nuk mungojë ata që mund të cilësohet si aspirantët e përhershëm, apo të dyshuarit e zakonshëm, kandidatë për tu ulur në pallatin presidencial.

Lista socialiste e ëndrrimtarëve I want to be a president” (unë dua të bëhem president) është e gjatë.

Kryesohet nga ish kryeministri Pandeli Majko, emri të cilit çdo katër vjet ruan ‘pol position’,  për të ngjitur shkallët e presidencës.

Nëse do ndodhte kështu, do ishte dhe deputeti me jetëshkurtër i kuvendit, me një mandat që e mori vetëm të hënën.

Mimi Kodheli, ish nënkryetare e bashkisë së Tiranës dhe ish ministre e mbrojtjes megjithëse jo publikisht, nuk e përjashton vetën nga  të braktisur Fiatit të  saj të bardhë e ulur në Mercedezin e zi presidencial. Shpesh emri i saj është përfolur për këtë post, edhe për shkak te disa pozicioneve në organizata ndërkombëtare.

E vetmja gjë qe i prish punë, është se ajo në zgjedhjet e 25 prillit, i hyri Edi Ramës në grup nga dritarja, ndërsa ai e kishte vënë poshtë në listë, ashtu si edhe Pandi Majkon.

Grupin e tre muskëtiereve të papreferuar ne grup, e plotëson Fatmir Xhafa, të cilin me shumë dëshirë linja zyrtare e partisë do ta donte jashtë kuvendit. Karriera e gjatë  politike me thinjat e bardha mbi kokë, e vendosin ish ministrin e punëve të brendshme dhe menaxherin e reformës në drejtësi, Fatmir Xhafajn në pozita dëshiruese për të drejtuar vendin në katër vitet e ardhshme.

Por të tre këta emra, jo komode për Ramën në Kuvend, megjithëse përkrah tij, do ishin edhe me problem për të në selinë e presidencës. Presidenti Ilir Meta, që mori 80 vota socialiste, për tua nxirë jetën atyre për pese vite rresht, shqetëson socialistët, te cilët duhet të zgjedhin mes bindjes se tyre për një president bio të majtë, bindjes se Edi Ramës për një president të mirë të djathtë, dhe dëshirës së shqiptarëve për të pasur në radhë të parë, një president normal.

Veliaj: Një njeri me rrënjë, një njeri me bosht dhe shtyllë kurrizore, një njeri në shërbim të publikut. Një figurë dinjitoze të pëfaqësojë unitetin tonë kombëtar.

Paradoksalisht i vetmi emër afër këtij përcaktimi, nuk është një emër i majtë, por ai që për Edi Ramën, do ishte një president i mirë i djathte. Por jo për të djathtët vetë, ndoshta as për shqiptarët, Lulzim Basha. Por për këtë duhet te presim, më shume sesa një takim të Yuri Kim me Alibeajn. Zarfi i fundit mund të ketë surpriza të reja.

Top Channel