Presidenti amerikan Joe Biden e paralajmëroi përpara samiteve në Europë, që në fokus patën luftën e Ukrainës, se ekziston një rrezik real që Moska të përdorë armë kimike në vendin fqinj, të kthyer në prenë e tërbimit të saj.
Hera e fundit që armë të tilla janë përdorur gjatë një konflikti ishte në Siri. Prillin e 2017-tës, avionë luftarakë sulmuan qytetin e Khan Sheikhun në provincën e Idlibit, duke vrarë 87 persona, përfshirë 30 fëmijë. OKB-ja dhe hetuesit ndërkombëtarë, konfirmuan se në atë sulm u përdor gaz sarin, dhe se Damasku ishte përgjegjës për tragjedinë e atyre njerëzve.
Regjimi sirian dhe Moska i mohuan akuzat. Simptomat e të prekurve megjithatë, ishin të qarta. Agjenti nervor sarin ishte përdorur dhe në një zonë të kontrolluar nga rebelet anti-qeveritarë pranë Damaskut ne 2013-tën, ku u vranë 1000 vetë, dhe pas asaj ngjarjeje, u supozua se qeveria siriane kishte hequr dorë nga arsenal ii saj i armëve kimike. Të mbijetuarit e sulmit të 4 viteve më vonë kujtojnë sesi kishin dëgjuar bombat, e kishin menduar se bëhej fjalë për goditjet e zakonshme.
Por u kuptua shpejt që diçka nuk ishte në rregull, pasi të parët të mbërritën në vendngjarje u shembën në tokë. Puononjësit e ndihmës thonë se ekipet e tjera i dërguan me maska në fytyrë. “E ndienim erën e gazit që 500 metra larg” patën rrëfyer ata.
Në vendngjarje i prisnin skena horror: njerëz në tokë që dridheshin nga konvulsionet, nga goja u dilte shkumë e buzët i ishin bërë blu, shumica humbnin ndjenjat. Observatori sirian për të drejtat e njeriut dyshon se regjimi sirian, edhe janarin e 2018-tës, përdori dy herë gaz klorin në Ghoutan Lindore, ku një fëmijë vdiq dhe të paktën 13 persona të tjerë patën vështirësi të mëdha në frymëmarrje.
Top Channel