Masakra në Bucha, Blinken: Fushata ruse është për të vrarë, për të torturuar dhe për të përdhunuar

05/04/2022 16:24

Mizoritë që Rusia ka kryer gjatë pushtimit të Ukrainës në Bucha janë “fushatë e qëllimshme për të vrarë, për të torturuar, për të përdhunuar dhe për të kryer mizori”, u tha gazetarëve Sekretari i Shtetit Antony Blinken përpara se të nisej për në Bruksel këtë të martë.

“Bota po sheh vdekjen dhe shkatërrimin e mbetur pas pushtimit rus, dhe ne po shohim tmerrin që ka mbetur pas në Bucha, diçka që po prek njerëzit në mbarë botën”, shtoi Blinken.

Ai tha se të gjitha provat do të mblidhen, në mënyrë që presidenti Vladimir Putin dhe vendi i tij të mbajnë përgjegjësitë deri në fund.

Blinken tha se SHBA po punon me vendet e tjera për të mbështetur hetimet e Ukrainës dhe të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nëse Rusia ka kryer apo jo krime lufte.

Blinken po udhëton për në Bruksel për t’u takuar me ministra të tjerë të jashtëm të NATO-s dhe ministrat e jashtëm të G7.

Top Channel