BE ‘ngrin’ fitoren e Orban, nis procedurën që mund të ndërpresë fondet për Hungarinë

05/04/2022 22:34

‘Fitorja është aq e madhe sa mund të shihet dhe nga hëna, jo më pastaj nga Brukseli’, kështu deklaroi pas fitores së zgjedhjeve kryeministri hungarez Viktor Orban .

Por BE, ende pa i dalë shija e fitores Orbanit, ka njoftuar se Komisioni Evropian ka nisur procedurë disiplinore kundër Hungarisë, që mund të çojë në ngrirjen e fondeve të bllokut evropian për shkak të shkeljeve të normave demokratike nga ana e Budapestit.

Komisioni Evropian tha se do të përdorë mekanizimin e ri të sundimit të ligjit, që nuk është përdorur asnjëherë, me qëllim që të parandalohej keqpërdorimi i fondeve të Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm i ri është vendosur për t’i dhënë fuqi BE-së që të ndërpresë financimin e shtete që nuk ndjekin rregullat thelbësore të bllokut evropian. Për këtë mekanizëm ishin pajtuar të 27 shtetet anëtare në fund të vitit 2020, pavarësisht hezitimit nga Hungaria dhe Polonia.

Mekanizmi është mbështetur nga shtetet e pasura të BE-së që kanë kërkuar mbikëqyrje më të madhe, me qëllim që të sigurohen se paratë nuk do t’i ndihmojnë qeverive që minojnë demokracinë. Qeveria hungareze tha se vendimi për të përdorur këtë mekanizëm ishte i gabuar.

Fitorja e Orbanit erdhi pavarësisht që BE-ja e ka kritikuar atë për vite me radhë për sistemin e prokurimit publik, për konflikte të interesit, politikat e migracionit, për pavarësinë e gjyqësorit si dhe për kufizimet në lirinë e mediave.

Top Channel