Shtohet rreziku i trafikimit dhe abuzimit tek gratë dhe fëmijët e larguar nga Ukraina

04/04/2022 16:34

Një ndër pasojat që ka sjellë lufta në Ukrainë janë të larguarit, të cilët deri më tani rezultojnë të jenë afërsisht katër milionë.

Kryesisht të larguarit janë gra dhe fëmijë, pasi ligji ushtarak në Ukrainë i ndalon meshkujt nga mosha 18-60 vjeç të largohen nga vendi i tyre.

Shpresa dhe dëshira për t’i shpëtuar luftës mund të sjellë pasoja të rënda, kryesisht në sigurinë e grave dhe fëmijëve.

Organizata të ndryshme humanitare përfshirë UNICEF-in kanë paraqitur këtë shqetësim, pasi refugjatët ukrainas rrezikojnë të bien viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore ose abuzimeve të tjera.

Ky është një fenomen që për fat të keq është problematik në emergjencat humanitare, pasi jo të gjithë ata që preferojnë t’i strehojnë ose ndihmojnë kanë qëllime të mira.

Për këtë arsye, grupi i ekspertëve të Këshillit të Evropës për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka ngritur alarmin, duke theksuar se rreziku i trafikimit është shumë i lartë.

Ekspertët kanë kërkuar dhe po punojnë për angazhimin e vendeve evropiane për të garantuar sigurinë dhe lirinë e refugjatëve ukrainas.

Top Channel