Hungaria voton. Sfida e madhe e Orban mes BE dhe Rusisë

03/04/2022 11:48

Hungaria voton në 3 prill për zgjedhjet parlamentare, një sfidë kjo e madhe për kryeministrin aktual Viktor Orban në 12 vite qeverisje të vendit. Pasi hodhi votën në kuti mëngjesin e së dielës Orban tha se ai pret një fitore të madhe.

“Unë kam punuar prej shumë muajsh dhe prandaj pres një fitore të madhe , kjo është se çfarë i duhet vendit.” Orban i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2010 , po kërkon mandatin e tij të pestë në detyrë dhe të katërtin me radhë. Kundërshtari i tij kryesor në këto zgjedhje është Peter Marki-Zay, që kryeson një koalicion opozitar. Por zgjedhjet nuk janë e vetmja çështje që shqetëson votuesit. Ata gjithashtu do të pyeten për pikëpamjet e tyre në një referendum për të drejtat e komunitetit LGBT.

Orban prej kohësh ka qenë në mosmarrëveshje me Komisionin Evropian. Kritikët e tij thonë se ai e ka larguar vendin nga vlerat kyçe të BE-së, duke përfshirë minimin e sundimit të ligjit dhe fillimin e politikave kundër emigracionit dhe kur Brukseli kritikoi një ligj të ri në Hungari që ndalon “shfaqjen ose promovimin” e homoseksualitetit, Orban akuzoi liderët evropianë se sillen si “kolonialistë”.

Ndërkohë nga ana tjetër Koalicioni hungarez i opozitës thotë se Hungaria i përket BE-së dhe ata zotohen të përmirësojnë bashkëpunimin me Perëndimin. Prandaj në një lëvizje të paprecedentë, gjashtë parti opozitare u bashkuan në përpjekje për të rrëzuar Orbanin duke zgjedhur Péter Marki-Zay si kandidat potencial.

Përtej koalicionit opozitar, dy parti më të vogla mund të hyjnë në parlament duke kapërcyer pragun e votave prej 5%.Gjatë 12 viteve të fundit, politika dhe aleancat e Orbanit kanë ndryshuar shumë. Ndërsa ka pasur gjithnjë e më shumë mosmarrëveshje me BE-në, ai ka krijuar lidhje të forta me liderë autoritarë si presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Kinës Xi Jinping.

Top Channel