NATO, stërvitje në Greqi! 130 avionë, shfaqje force bashkë me partnerët e tjerë

02/04/2022 15:14

Greqia për të tetin vit ka ftuar partnerët e NATO-s dhe aleatët rajonalë për të marrë pjesë në një stërvitje vjetore të forcave ajrore në bazën ushtarake Andravida pranë qytetit jugor të Kalamatës.

Në stërvitjen me emrin “Iniochos” që po konsolidohet si më e madhja e forcave ajrore  në Europë, marrin pjesë 130 avionë të SHBA ,Francës, Izraelit, Italisë, Sllovenisë dhe Qipros duke çuar një mesazh të qartë ndaj Moskës.

“Κjo  stërvitje është gjithashtu veçanërisht e rëndësishme për aleancën tonë të NATO-s, ajo dërgon një mesazh veçanërisht të fortë vendosmërie në një kohë kur Rusia ka sjellë luftë në Evropë, në tokën evropiane duke pushtuar dhe duke shkatërruar pamëshirshëm Ukrainën”, thotë Nikos Panagiotopoulos, ministër grek i Mbrojtjes.

“Iniochos” zhvillohet paralelisht me stërvitjen aleate të Operacioneve Speciale “Orion” ku përfshihen forca ushtarake  nga Qipro, Izraeli, SHBA, Franca dhe Bullgaria.

Aftësia që ka Greqia për të bashkuar aleatët dhe partnerët ,për të zhvilluar kapacitetin dhe sinjalizuar vendosmërinë, është tani më e rëndësishme se kurrë, pasi ne si aleancë dhe bota demokratike i përgjigjemi agresionit të jashtëzakonshëm që Rusia po kryen ndaj Ukrainës”, thotë Geoffrey Pyatt, Ambasador i SHBA në Greqi.

Greqia nënshkroi të enjten në prag të festës kombëtare të Greqisë, në bordin e një luftanijeje 112-vjeçare që aktualisht është muze,  një marrëveshje ushtarake të re me Francën dhe dy kontraktorë francezë me vlerë rreth 4 miliardë euro.

Marrëveshja përfshin  blerjen e tre fregatave të marinës luftarake  dhe gjashtë avionë luftarakë francezë të  gjeneratës së re Rafale, në kuadrin e programit grek shumë miliardësh të modernizimit ushtarak dhe forcimit të trupave të armatosura në përgjigje të tensioneve të vazhdueshme të Greqisë me Turqinë, gjatë të cilave është mbështetur fuqimisht nga Franca.

Top Channel