Von der Leyen: Reputacioni i Kinës është në rrezik

01/04/2022 17:51

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha këtë të premte se reputacioni i Kinës është në rrezik nëse ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet ndërkombëtare.

“Një zgjatje e luftës dhe më shumë përçarje në ekonominë botërore nuk është në interesin e askujt”, tha ajo  pas një samiti online me presidentin e Kinës Xi Jinping.

Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për pushtimin e saj,  ndërsa BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Xi tha se Kina dhe Evropa duhet të ofrojnë stabilitet në një botë të paqëndrueshme, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, por nuk duket se kanë ofruar ndonjë propozim për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha më vonë se Kina ishte pajtuar me mendimin se kjo luftë po kërcënon sigurinë globale dhe ekonominë botërore.

Të enjten, një shef i spiunazhit në Mbretërinë e Bashkuar tha se Kina nuk do të ndihmohej në një periudhë afatgjatë duke mbështetur Moskën.

Top Channel