Kriza e çmimeve/ Europa merr goditjen e rëndë, inflacioni rrezikon ekonominë

01/04/2022 16:12

Pushtimi rus i Ukrainës e ka futur eurozonën në një realitet të ri ekonomik ku inflacioni i lartë nuk është më një dhimbje koke e përkohshme, por kërcënon seriozisht të zhbëjë rezultatet e rimëkëmbjes pas pandemisë.

Inflacioni në mars arriti në 7.5% në krahasim me një vit më parë, niveli më i lartë historik për eurozonën.

Shifra përfaqëson një rritje befasuese në kushtet kur objektivi i Bankës Qendrore Evropiane është që të mos tejkalojë nivelin 2%.

Të dhënat e marsit janë leximi i parë nga Eurostat që merr parasysh pasojat e luftës në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në muajin e dytë pa asnjë zgjidhje në horizont.

Inflacioni vjetor – shkalla me të cilën çmimet për mallrat dhe shërbimet ndryshojnë me kalimin e kohës – ka qenë në rritje të vazhdueshme që nga fundi i verës, kur një mospërputhje midis ofertës dhe kërkesës bëri që çmimet e gazit të rriteshin.

Tendenca vazhdoi gjatë gjithë dimrit kur temperaturat e ulëta sollën rritjen e  konsumit të e energjisë elektrike dhe u përkeqësuan ndjeshëm pasi Presidenti Vladimir Putin dha urdhër për pushtimin e Ukrainës.

Lufta e zhyti ekonominë globale, akoma të pafuqishme nga pandemia, në pasiguri dhe trazira. Një gamë e gjerë sanksionesh perëndimore i kanë dhënë fund tregtisë me Rusinë, ofruesin kryesor të energjisë të BE-së

Blloku merr mbi 40% të gazit të tij nga Moska, kryesisht përmes tubacioneve. Edhe nëse deri më tani gazi është përjashtuar nga sanksionet, lufta ka intensifikuar paqëndrueshmërinë e çmimeve në të gjithë kontinentin.

Top Channel