Vetëm në pak javë, kriza dhe ndryshimi  i çmimeve ka prekur gjithashtu dhe shportën e produkteve ushqimore bazike për çdo familje shqiptare.

Sipas INSTAT, 30 produktet kryesore të shportës së familjes në muajin Janar të këtij vitit kushtonin 1200 lekë më pak. Vetëm në 2 muajt e parë të vitit 2022, të gjitha këto produkte pësuan rritje të menjëhershme me 19.5% në të gjitha njësitë e shitjes me pakicë.

Rritjen më të madhe në vlerë e patën yndyrat, mielli dhe nënproduktet e tij, hidrokarburet etj. Çmimet e vajit dhe gjalpit kishin përqindjet më të larta të rritjes.

Një kilogram gjalpë u shit me 1.000 lekë nga 682 lekë në Janar, me një rritje 46.6%, ndërsa çmimi për një litër vaj u rrit me 40% duke shkuar në 320-330 lekë për litër nga 228.1 lekë që ishte në Janar 2022. Pas yndyrave, rritjen më të lartë e shënoi mielli dhe nënproduktet e tij. Një kilogram miell i paketuar u shit në Mars me pakicë me 135 lekë nga 99.2 lekë në Janar.
Një litër qumësht në Mars u shit me 160 lekë për litër, nga 120.3 lekë në Janar. Ndërsa një litër kos natyral u shit me 150 lekë. Në krahasim me muajin Janar kanë pësuar ulje vetëm çmimet e kastravecëve dhe qepëve. Kastravecët shiten 14% më lirë se në Janar, për shkak se në treg ka dalë prodhimi i ri i serave.

Shteti ka dhënë 3000 lekë për 3 muaj shtesë për pensionistët në këtë kohë krize. Gjithashtu, u rimbursohet edhe energjia elektrike nëse janë kryefamiljarë në masën 650 lekë të reja. Por a u mjaftojnë të ardhurat nga pensionet pensionistëve?

Për të parë më konkretisht sesa rendojnë këto rritje çmimesh ne xhepin  e pensionistëve, Fiks Fare pyeti  të moshuarit. Ata shprehen se e kanë harruar aromën e mishit dhe janë futur në borxhe.  Me pensionin që ata marrin blejnë ilaçet  dhe ushqime bazike.

Por për ta parë më konkretisht Fiksi zgjodhi  dy pensionist që kanë një pension relativisht të mirë. Njëra nga të moshuarat merr 34. 500 lekë në muaj dhe tjetra 24.000.

Rukie Varvarica banore e zonës se Kërrabës në qytetin e Tiranës është pensioniste me dializë e cila merr 24.000 lekë pension në muaj.  Ajo shprehet se me pensionin që merr nuk i del, pasi tri herë në javë i duhet të bëjë dializën dhe për këtë i duhet transport me taksi pasi është larg. Ajo thotë se prej 5 vitesh vuan nga një kolazh sëmundjesh dhe e ka të pamundur lëvizjen normale.  Taksi   për të shkuar në spital i merr 2000 lekë të vjetra, për 3 herë në javë i duhen 6000 lekë në javë. Pra i gjithë pensioni që ajo merr në muaj e shpenzon transport për të bërë dializën në muaj.  Rukija thotë se disa prej ilaçeve i merr me rimbursim, por e ka të pamundur t’i konsumojë, pasi i shkaktojnë luhatje tensioni.  Për sëmundjen që ka Rukija duhet të mbajë një dietë ushqimore të cilat nuk i merr dot pasi ushqimet që duhet të konsumojë në dietë, janë shumë të shtrenjta dhe nuk i blen dot.

Ajo jeton vetëm me bashkëshortin duke mbajtur njëri -tjetrin pasi nuk kanë fëmijë.  Edhe banesa në të cilën jetojnë është plotësisht e amortizuar dhe me lagështi. Kostoja e energjisë elektrike e familjes shkon 3000 lekë të vjetra në muaj, ndërsa ujin nuk e paguan se nuk kanë mundësi.  Të moshuarit tregojnë se për t’u ngrohur ndezin zjarr, ndërsa për t’u larë lahen vetëm një herë në javë.  “S’kemi ç’e duam veten, kështu nuk jetohet” pohojnë të moshuarit për Fiksin.

Qeranza Basha është një tjetër pensioniste që merr pension 34.500 lekë në muaj.  Edhe pse ajo tregon për Fiksin se pensioni që ajo merr është më i mirë se i disa bashkëmoshatareve të saj, përsëri është e pamjaftueshme për shkak se ilaçet dhe vizitat që duhet të bëjë në fund të çdo muaji kushtojnë.

Vetëm për muajin Shkurt ajo tregon se ka shpenzuar 19.000 lekë analiza, paguan rregullisht ujin, drita, telefon, pasi jeton e vetme dhe i duhet të flasë me të birin që jeton jashtë vendit.

Gazetarët e Fiksit bashke me zonjën Qeranze i drejtohen marketit më të afërt për të bërë pazaret e muajit me gjërat më të rëndësishme. Të gjitha gjërat që zonja bleu  kushtuan 6170 lekë. Me të gjitha llogaritjet zonjës i teprojnë në fund të muajit vetëm 1100 lekë.  Ajo thotë se kjo shumë e mbetur nuk i mjafton për asgjë.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA