Trupat nëpër rrugë, makthi i ri i Ukrainës: Dinjitet të paktën në varr!

31/03/2022 14:02

Pavarësisht pretendimeve të Rusisë se do të reduktonte në mënyrë drastike aktivitetin ushtarak rreth Kievit, kryeqyteti ukrainas dhe zonat përreth tij i kanë parë bombardimet të vazhdojnë këto 24 orët e fundit.

Kryebashkiaku i Chernihivit thotë se ky qytet është përballur me një sulm kolosal, çka tregon se situata nuk po qetësohet në terren, pavarësisht se trupat e Moskës duket se tashmë janë tërhequr nga Cernobili. Furisë së tyre nuk i ka shpëtuar sakaq as Irpini në afërsi të Kievit, gjysma e të cilit thuhet të jetë shkatërruar krejtësisht. Shpërthime dëgjohen atje pareshtur, edhe pse forcat ukrainase kontrollojnë një pjesë të mirë të qytetit. Bombardimet ia kanë vështirësuar së tepërmi punën shërbimeve lokale të emergjencës, të cilat kanë vështirësi deri edhe ne mbledhjen e trupave që dergjen nëpër rrugë, për t`i ofruar viktimave të kesaj lufte absurde një prehje të denjë.

Petro Kyseliov: Në territorin e Irpinit, forcat ruse u arrit të zmbrapseshin, por bombardimet vazhdojnë. Në zonën e Bucha-s ka ende rusë, dhe kemi problemin e madh që duhet të marrim trupat e pajetë të cilët i sheh kudo nëpër rrugë. Është shërbimi i fundit që mund t`i bëjmë qytetarëve tanë, tu ofrojmë të paktën një varr ku të prehen të qetë.

Në përshkrimin më specifik të forcave ruse që po largohen nga Kievi, Pentagoni tha më herët se “më pak se 20 për qind” e kontingjentit të trupave ruse në afërsi të kryeqytetit ukrainas kanë filluar të “ripozicionohen”. Zëdhënësi John Kirby u shpreh se trupat që kanë filluar të largohen nga Kievi ishin në afërsi të aeroportit Hostomel në veriperëndim të Kievit.

Sipas tij,  Rusia po i tërheq trupat nga Kievi për t’i rifurnizuar dhe riorganizuar ato në përgatitje të operacioneve të tjera në Ukrainë, jo për t’i dërguar ato në Rusi. Zyrtarët e Moskës thanë në fillim të kësaj jave se po reduktonin ndjeshëm operacionet ushtarake rreth Kievit si një gjest për të çuar përpara bisedimet e paqes, por ukrainasit e amerikanet kanë shprehur skepticizëm rreth synimeve ruse.

Top Channel