Polonia dëshiron t’u japë fund importeve të energjisë ruse

31/03/2022 09:43

Polonia ka qenë e angazhuar për një embargo të BE ndaj furnizimeve ruse me energji. Kryeministri Morawiecki tani deklaroi se deri në fund të vitit 2022 dëshiron të ndërpresë furnizimet me naftë dhe gaz natyror rus.

Deri në fund të vitit, Polonia synon të bëhet e pavarur nga furnizimet ruse me naftë dhe gaz. Këtë e deklaroi kryeministri Mateusz Morawiecki në Varshavë. Vendi i tij tashmë ka reduktuar ndjeshëm varësinë e tij nga nafta ruse dhe po ndjek planin më radikal të BE për t’i dhënë fund importit të burimeve ruse të energjisë, tha Morawiecki.

Ndalimi i importit të qymyrit rus

Të martën, Polonia njoftoi ndalimin e importeve të qymyrit nga Rusia. Ai pret që kjo masë të zbatohet që në prill ose më e vonta në maj, bëri të qartë Morawiecki. Polonia prodhon gati 80 për qind të energjisë së saj nga qymyri, por mund ta importojë atë edhe nga Australia, Afrika e Jugut ose Kolumbia.

Kryeministri polak u bëri thirrje vendeve anëtare të BE që të ndjekin shembullin e vendit të tij. Sipas tij, Komisioni Evropian duhet të vendosë një taksë për të gjitha importet e energjisë nga Rusia.

Zgjerim i energjive të ripërtëritshme

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë vetëm pesë javë më parë, Polonia është angazhuar për një embargo energjetike kundër Rusisë në nivel të BE.”Për fat të keq, Komisioni Evropian nuk ka marrë një vendim, kështu që ne po e marrim vetë”, u shpreh Morawiecki.

Në mënyrë që të bëhet e pavarur nga nafta dhe gazi rus, Polonia gjithashtu dëshiron të zhvillojë energjinë e rinovueshme, shtoi ai. “Falë këtyre energjive, ne do të bëhemi të pavarur nga nafta dhe gazi rus, por edhe nga vendet e tjera që nuk përbëjnë kërcënim sot dhe në të ardhmen”, tha Morawiecki. Aktualisht, “gazi rus shumë i shtrenjtë” do të zëvendësohet me “gazin norvegjez shumë të shtrenjtë”./DW

Top Channel