Nesër hapet korridor humanitar në Mariupol/ Biden: Putini po ndëshkon këshilltarët e tij

31/03/2022 22:15

Në një 1 prill civilët do të evakuuohen nga Mariupoli në Zaporizhia përmes një korridori humanitar.

Mediet ruse citojnë gjeneralin rus Mikhail Mizintsev, që shpjegon se evakuuimi do të bëhet sipas  një kërkese që presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz i kishin bërë presidentit rus, Vladimir Putin.

Korridoret humanitare kanë dështuar vazhdimisht pasi Rusia nuk ka ndaluar bombardimet në disa qytete. Të enjten, një person u vra dhe katër u plagosën rëndë kur forcat ruse bombarduan një kolonë evakuimi jashtë Çernihivit. Ndaj autobusëve që po transportonin vullnetarë civilë u qëllua në mënyrë të drejtpërdrejtë, tha Avokatja i Popullit e Ukrainës, Lyudmyla Denisova.

Zhvendosjen e trupave rusë nga Kievi drejt lindjes, presidenti amerikan Joe Biden e sheh me dyshim, ndërsa shton se ka prova që rusët po shënjestrojnë rajonin e Donbasit.

“Deri më tani, nuk ka asnjë provë të qartë se Putini po tërheq të gjitha forcat e tij nga Kievi. Ka prova se ai po forcon trupat në zonën e Donbasit. Unë jam skeptik”.

Lidhur me deklaratat e inteligjencës amerikane se Putini po gënjehet nga këshilltarët e tij për për suksesin e performancës së ushtrisë ruse gjatë luftës, Biden tha se presidenti rus po ndëshkon njerëzit që i kanë shërbyer gjatë kësaj kohe.

“Ka shumë spekulime, por duket se ai po izolohet dhe ka disa indikacione se ka pushuar nga puna ose ka vënë në arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij. Megjithatë dua të jem i rezervuar, pasi nuk kemi shumë prova për këto fakte”.

Më herët, Kremlini iu përgjigj komenteve të inteligjencës amerikane, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov që e quajti një keqkuptim, pasi Uashingtoni nuk e kupton stilin e tyre të punës.

 

Top Channel