Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi vendosjen e një armëpushimi lokal në qytetin port të Mariupolit, të kthyer në gërmadhë nga bombardimet.

Pushimzjarri do të lejojë evakuimin e civilëve, që do të kryhet përmes një korridori humanitar nga Mariupol në Zaporizhzhia. Kalimi do të realizohet nëpërmjet portit të Berdianskut të kontrolluar nga rusët.

“Në mënyrë që ky operacion humanitar të ketë sukses, propozojmë që ai të kryhet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të agjensisë së OKB-së për refugjatët dhe Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq”, thuhet ne deklaratën e Moskës zyrtare. Por deklaratat ruse priten me skepticëm nga pala ukrainase, dhe jo pa të drejtë.

“Do ta besoj kur ta shoh me sytë e mi”, është tashmë reagimi i parë që vjen pas njoftimeve të Rusisë. Volodymir Zelensky edhe një herë e përsëriti se nuk i zënë besë deklaratave ruse për reduktimin e operacioneve rreth Kievit e Chernihivit. Nuk i besojmë askujt, nuk i besojmë fjalët e bukura ishte komenti, ndërkohë që pohoi nga ana tjetër se po përgatiten për një ofensivë të re ruse në lindje të Ukrainës.

Zelensky: Shohim që ka një grumbullim trupash dhe arsyeja është se duan të ndërmarrin sulme të reja në Donbass. Ne jemi për të përgatitur për këtë. Nuk do të heqim dorë nga asgjë, por do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, për çdo person.

Statusi i Donbasit është një prej çështjeve që frenon gjetjen e një konsensusi mes palëve në konflikt. Negociatat e paqes rinisin sërish në 1 prill, e pohuar kjo nga negociatori ukrainas David Arakhamia. Edhe këtë radhë, bisedimet do të kryehen përmes një lidhjeje video. Arakhamia shpjegoi se Ukraina kishte insistuar për një takim mes liderëve të dy vendeve, por Rusia thotë se duhet punuar ende mbi draftin e marrëveshjes. Sipas OKB-së, që nga fillimi i luftës, 1.150 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë, 103 prej të cilëve, janë fëmijë.

Top Channel