“Gaz vetëm me rubla” Presidenti rus ndryshon mendje! Europa gati për mungesën e gazit

31/03/2022 19:50

Ndonëse më herët presidenti rus Vladimir Putin u premtoi vendeve perëndimore se do të lejojë pagesat në euro për gazin, shumë shpejt ndryshoi qëndrim.

Putini nënshkroi këtë të enjte një dekret ku i kërkon blerësve të hapin llogari në bankat ruse për të lehtësuar pagesat, që tashmë do të bëhen në rubla.

Mediet ruse raportojnë se rregulli i ri hyn në fuqi bqë nga 1 prilli, ku Moska do të mbyllë rubinetat për ata që refuzojnë të paguajnë në rubla.

“Nëse pagesat nuk bëhen në këtë mënyrë, do ta konsiderojmë se nuk janë paguar dhe më pas do të aplikohen pasojat që vijnë në raste të tilla, kontratat ekzistuese mund të ndërpriten. Askush nuk na shet gjëra falas dhe ne nuk kemi ndërmend të bëjmë bamirësi.”

Në fillim të muajit, Rusia e kishte paralajmëruar këtë lëvizje dhe pavarësisht përpjekjeve të kacelarit gjerman Olaf Scholz për ta bindur, Putini është i bindur për t’i detyruar vendet që i cilëson jomiqësore për shkak të mbështetjes ndaj Ukrainës, të paguajnë në monedhën ruse.

Në kushte të tilla, Franca dhe Gjermania po përgatiten për një reduktim të furnizimit të gazit rus. Ministri francez i ekonomisë shprehet se vendi duhet të jetë gati për çdo situatë.

Mund të kemi një realitet të ri, pa gaz rus. Po përgatitemi për një skenar të tillë.

Menjëherë pas vendimit, niveli i rublës filloi të rritej, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve që ka pësuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë 36 ditë më parë.

Në të njëjtën kohë, pavarësisht presionit nga Perëndimi, OPEC ka rritur në mënyre modeste prodhimin e naftës. Vendet eksportuese në naftës llogaritën një prodhim prej 432.000 fuçish në ditë në maj, një rritje e lehtë krahasuar me muajt e mëparshëm. Rusia është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës pas Arabisë Saudite.

Top Channel