Shqipëria ka çmimet më të larta të produkteve të shportës në rajon. Në një vëzhgim të kryer nga emisioni “Wake Up” rezulton se çmimet e ushqimeve bazë në këto shtete janë rritur ndjeshëm nga janari e deri në mars.

Buka masive në Shqipëri shitet aktualisht për 1.15 euro, duke u rritur në 1 muaj me gati 40 cent, ndërsa në vendet e tjera Kosovë, Maqedoni e Veriut e Mal të Zi shitet nga 42 deri në 80 cent maksimumi, ku rritja në këto vende varion nga 10-20 cent më shumë krahasuar me janarin.

Veç bukës, qytetarët shqiptarë blejnë shumë më shtrenjtë se fqinjët e rajonit vajin nga 2.5 deri në 3 euro litri, teksa ky produktet shitet në këto vende poshtë nivelit 2.4 euro, me gjithë rritjen e shënuar prej valës globale të çmimeve e ndikimit të luftës Rusi-Ukrainë.

Edhe produktet e tjera si orizi, makaronat, sheqeri e mielli veçanërisht sipas vëzhgimit po blihen me çmime të rritura në vendin tonë ky i fundit për 1.11 euro, gati 20 cent më shumë se në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni.

Ndryshe nga Shqipëria, kur qeveria ngriti vetëm pak ditë më parë një bord për të frenuar rritjen e çmimeve të shportës, reagimi i autoriteteve në vendet e tjera ishte më i shpejtë, pasi qeveria serbe dhe ajo maqedonase vendosën ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë shumë më herët pasi inflacioni arriti nivele të larta.

Por, pse paguajnë më shumë shqiptarët? Ekspertët shpjegojnë se kjo rritje kostosh më shumë se nga luhatjet në tregjet e huaja, lidhet me abuzimet në tregun vendas.

“Nuk kemi asnjë lloj monitorimi qoftë për rezervat që kanë këto kompani, për çmimin e blerjes që të bëhet krahasimi me çmimin e shitjes dhe asnjë monitorim për tregtarët që për disa produkte janë vetë ata që abuzojnë deri të shitësi fundor.” Sinkron Vjoldi Danaj, ekspert për ekonominë

Rikthimi në nivelet e çmimeve të parakrizës duket i pamundur, pikërisht nga mungesa e kontrollit të tregut nga spekulimet.

“Gjasat janë shumë të vogla që të kemi një reagim të shpejtë në ulje të çmimeve në vijim, sepse në vend nuk reflektohen këto ndryshime sepse nuk ka kontroll, nuk ka autoritete që të monitorojnë situatën. Mungojnë sindikatat dhe zyra e mbrojtjes së konsumatorit nuk funksion duke mos ngritur zërin për shqetësime.” Sinkron Vjoldi Danaj, ekspert për ekonominë

 

Top Channel