Rusia sulmon qëllimisht spitalet, OBSH: I përdorin si gur shahu më të dobëtit

30/03/2022 23:09

Qendrat e kujdesit shëndetësor kanë qenë objektiv i ushtrisë ruse që ditët e para të sulmit ndaj Ukrainës.

Mbi 80 godina shëndetësore janë sulmuar nga forcat ruse gjatë më shumë se një muaji luftë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Nga sulmet, kanë humbur jetën 72 persona dhe janë plagosur 43 të tjerë, mes të cilëve pacientë dhe  stafi që ka qenë në krye të detyrës, deklaron Drejtori i Përgjithshëm të OBSh-së, Tedros Ghebreyesus.

Këto aksione janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe duhet të ndalen menjëherë, shton ai.

Mike Ryan, drejtor i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, shpjegon se gjatë konflikteve, është pjesë e strategjisë ushtarake që njerëzve t’u mohohet kujdesi shëndetësor.

“Ata shënjestrojnë drejtpërdrejt më të dobtit, i përdorin si gurë shahu në një lojë të tmerrshme vrastare”, shprehet Ryan.

Sulmi më i rëndë është bombardimi i maternitetit të Mariupolit në fillim të muajit mars, që shkaktoi disa të vdekur e dhjetëra të plagosur, mes të cilëve fëmijë, gra, mjekë.

Top Channel