Rusët nuk po tërhiqen, ukraniasit: Rusët janë larguar disa njësi por ende po qëllojnë

30/03/2022 20:00

Lëvizja e forcave ruse drejt lindjes ka qenë e dukshme këtë të mërkurë, por zyrtarët ukrainas thonë se ndihen njësoj të kërcënuar nga Rusia.

Një ditë pas negociatave të paqes në Stamboll, që në fillim u duk se patën rezultate pozitive, raportohet për shtim të bombardimeve në Chernihiv.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës konfirmon se ka parë zhvendosje të njësive ruse, por komanda ushtarake e Ukrainës nuk e konsideron këtë si një tërheqje masive, thekson ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksandr Motuzyanyk. Forcat ruse po përgatiten të rifillojnë sulme të tjera, thotë ai.

Nuk shohim një largim masiv të trupave ruse nga këto zona, por po largohen disa njësi nga Kievi dhe Chernihiv. Është herët për të folur. Armiku nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të pushtuar apo rrethuar këto qytete.

Rreth 300 civilë janë vrarë në Irpin, pranë Kievit, sipas kryebashkiakut Oleksandr Markushyn. Ai tha se kanë mundur të rimarrin kontrollin e qytetin, një nga pikat kryesore të luftimeve me trupat rusë. Megjithatë, thotë ai, bombardimet janë ndjerë gjatë gjithë natës, dhe Rusia po bie ndesh me premtimin e një dite më parë se “do të zvogëlonte  operacionet ushtarake rreth kryeqytetit”.

Përqëndrimi i forcave ruse drejt Lindjes, mund të jetë pjesë e planit të Vladimir Putin për të marrë njëherë e mirë Donbasin, shkruan BBC. Rusia madje po intensifikon përpjekjet për të shtuar ushtrinë. Deri më tani, zyrtarët rusë thonë se kanë rekrutuar rreth 16.000 shtetas nga Lindja e Mesme.  BBC raporton se shtetasve sirianë u ofrohen deri në 5000 £ në muaj për të luftuar në vijën e frontit për Rusinë në Ukrainë.

Sulmet ruse në zonat e populluara të Ukrainës janë “shqetësim i jashtëzakonshëm”, deklaroi sot shefja OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet duke paralajmëruar se ato mund të përbëjnë “krime lufte”.

Sulmet e bëra pa asnjë dallim janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe mund të përbëjnë krime lufte. Raketat, predha e rënda të artilerisë dhe sulmet ajrore po shkaktojnë “shkatërrim masiv dhe dëmtim të objekteve civile”.

Zyra e saj konfirmon se 1.189 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës 35 ditë më parë në Ukrainë, mes tyre 98 fëmijë.

Top Channel