Putin kërkon dorëzimin e Mariupolit: Ulni armët e s`ju prekim! Ish ministri-Po blen kohë!

30/03/2022 14:44

“Do t`i ndalojmë bombardimet tona në Mariupol në momentin që forcat ukrainase atje do të ulin armët”. Presidenti rus Vladimir Putin nuk ia bëri drejtpërdrejt Kievit këtë kërkesë, por e përmendi në telefonatën që pati me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, e pohuar kjo nga Kremlini.

Zyrtarët francezë nga ana tjetër, thonë se lideri rus ka pranuar të shqyrtojë planet për evakuimin e civilëve nga qyteti i shkatërruar, pjesë të tëra të të cilit, sic dëshmojnë dhe foto satelitore, janë kthyer në gërmadha.

Ofensiva ruse në qytetin e rrethuar nuk njeh zmbrapsje as përpara Kryqit të Kuq, ndërtesa e të cilit, siç pohoi avokatja e Popullit të Ukrainës, Lyudmyla Denisova është goditur me sulme ajrore dhe artileri.  Rusët nuk po e lëshojnë Mariupolin e konsideruar me rëndësi strategjike për avancimin e tyre, duke bllokuar atje afro 160,000 civilë pa qasje në ujë të pijshëm, ushqim dhe furnizime të tjera elementare.

Ish-ministri i Jashtëm rus është përpjekur të zbardhë strategjinë e tjetërsuar ruse në Ukrainë, duke argumentuar se Putini  po tenton të blejë kohë para se “të godasë më fort”.

Andrei Kozyrev, ish kryediplomat i Rusisë nga viti 1990-1996, bëri një analize  lidhur me premtimet e Rusisë për të zvogëluar operacionet ushtarake përreth Kievit dhe Chernihivit, e tha se kjo nuk ndodh për shkak se Putin papritur ka vendosur të sillet mirë, por për shkak të rezistencës ukrainasve, që në aspektin diplomatic, e ka bërë të duket shumë idobët. Ish-politikani rus, kundërshtar i bindur i luftës në  Ukrainë, theksoi se reduktimi i aktivitetit ushtarak, mund të jetë një manovër që Rusia të blejë kohë për rigrupim dhe të godasë më fort.

“Regjimi i Putinit kupton vetëm gjuhën e forcës. Disfata në afërsi të Kievit, e ka bërë atë të duket i dobët ndaj dhe po aplikon manovra të reja ushtarake”, shprehet Kozyrev.

Top Channel