Koncert bamirësie/ Tubimi në mes të Athinës në mbështetje të Ukrainës

30/03/2022 15:25

Dhjetëra artistë dhe mijëra qytetarë grekë janë mbledhur mbrëmjen e së martës në sheshin Propylea të Athinës dhe kanë kënduar për paqen në një koncert madhështor kundër luftës në Ukrainë.

Natassa Bofilou: Ne jemi sot këtu për të kënduar për paqen. Paqja që aq shumë e fyejnë, aq shumë e bëjnë fajtore… Por a e dini? Ata nuk e kanë problem fjalën Paqe. Ata kujdesen për ato që shoqërojnë paqen, të cilat janë Liria, Barazia, Vëllazëria.

Ishin mbi 40 artistë të këngës greke midis tyre emra të shquar si Georgos Dalaras, Glykeria, Manolis Mitsias, Eleni Tsaligkopoulou, Pegki Zina etj.

Me pankarta ku shkruhej  “Ndaloni tani pushtimin rus të Ukrainës, le të heshtin armët. Solidaritet me refugjatët. Solidaritet me popullin ukrainas “qytetarë të të gjitha moshave kanë shprehur njëzëri qëndrimin e tyre ndaj luftës. Koncerti i paqes u organizua prej shoqatës së majtë  “Solidaritet për të gjithë” dhe u promovua edhe nga aktivistë ,grupe të të drejtave të njeriut dhe artistë grekë.

Pjesëmarrës: Sot jemi këtu për të treguar me vepra solidaritetin tonë dhe për të çuar një mesazh të qartë kundër luftës. Zgjidhja dhe përgjigja e vetme është vetëm paqja dhe solidariteti i  popujve.

Në koncert është vënë re një pjesëmarrje e madhe e deputetëve të partisë opozitare Syriza, madje edhe e liderit të saj Aleksis Tsipras, por edhe të anëtarëve të tjerë të partive të majta.

Koncerti ka sjellë dhe një reagim të madh në mediat sociale me kritika për mediat tradicionale që u akuzuan nga shumica e përdoruesve në rrjetet sociale, se nuk mbuluan siç duhej këtë koncert që morri edhe ngjyrat e një proteste kundër politikave të kryeministrit Mitsotakis, duke mbajtur përsëri sipas tyre  ,qëndrim proqeveritar.

Top Channel