Atje lart s`ka luftë: Astronautët amerikanë e rusë kthehen në Tokë bashkë!

30/03/2022 13:39

Tensionet e përshkallëzuara ndjeshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për shkak të Ukrainës, nuk janë ndjerë në hapësirë.

Një astronaut nga SHBA-ja dhe dy kozmonautë rusë do të kthehen bashkë në Tokë me një kapsulë  Soyuz. Astronauti i NASA-s Mark Vande Hei dhe kozmonautët Anton Shkaplerov dhe Pyotr Dubrov do të lënë Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) për të zbritur në Kazakistan, një udhëtim i përbashkët për në shtëpi, që vjen në mesin e pasigurisë në rritje mbi fatin e bashkëpunimit SHBA-Rusi në hapësirë.

Shkaplerov, që ishte dhe komandanti i ekspeditës 66, i dorëzoi i buzëqeshur celësin e laboratorit kolegut amerikan Thomas Marshburn në një ceremony tradicionale të ndryshimit të komandës e cila si përherë, u mbyll me shtrëngime duarsh e përqafime.

Në 25 shkurt – një ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën – Dmitry Rogozin, drejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të hapësirës e ​​akuzoi SHBA-në se po përpiqet të shkatërrojë bashkëpunimin në ISS. “Nëse bllokoni bashkëpunimin me ne, atëherë kush do ta shpëtojë ISS nga një zbritje e pakontrolluar nga orbita dhe më pas rënia në territorin e Shteteve të Bashkuara ose Europës?” pati pyetur ai.

NASA, megjithatë, sqaroi se do të vazhdojë të punojë me të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë – përfshirë Rusinë – dhe tha se sanksionet nuk e pengojnë atë që të punojë me Moskën.

Top Channel