Ikën gazi rus, i hapet rruga Tap-it? Greqia, magazinim gazi përmes Shqipërisë

29/03/2022 12:08

Ministria e Energjisë në Greqi po shqyrton mundësinë e magazinimit të gazit natyror në Itali dhe Bullgari për të siguruar furnizime të mjaftueshme për sezonin dimëror 2022-2023, shkruan gazeta greke Kathimerini.

Komisioni Europian u kërkon të gjitha shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë struktura ruajtjeje të gazit që deri në 1 nëntor të këtij viti, të sigurojnë marrëveshje me vendet të cilat disponojnë magazina të tilla, për sasi të barazvlefshme me 15% të konsumit vjetor.

Në rastin e Greqisë, konsumi vjetor i gazit natyror në 2020-tën ishte 5.8 miliardë metra kub, që do të thotë se sasia e nevojshme për tu siguruar përmes depozitimit është 0.9 miliardë m³. Bullgaria e ka një strukturë magazinimi të gazit natyror, me të cilin është i lidhur Operatori Helenik i Sistemit të Transmetimit të Gazit (DESFA), me një pikë të dytë interkonjeksioni që do të fillojë së shpejti të funksionojë përmes gazsjellësit Interkonektori i Gazit Greqi-Bullgari (IGB).

Por objekti nentokësor bullgar ka një kapacitet relativisht të kufizuar prej 0.6 miliardë m³, vazhdon e perditëshmja greke, ndërkohë që kapaciteti i magazinimit në Itali është rreth 20 miliardë m³. Me këtë të fundit, Greqia lidhet përmes Shqipërisë dhe Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Në këtë rast sasitë e kërkuara mund të sigurohen në bazë të marrëveshjeve të shkëmbimit.

Top Channel