Biznesmenja italiane, e cila ka marrë hotelin me qira në Radhimë të Vlorës ka kundërshtuar forcat e policisë kur ata kanë hyrë brenda në godinë.
Ajo është dëgjuar të qajë dhe ulërasë duke thënë se ajo është shtëpia e saj dhe se nuk ka ku të flejë. Edhe pas thirrjeve të saj, sërish policët e kanë marrë me forcë dhe nxjerrë nga godina.
“Unë jetoj këtu, nuk kam shtëpi, nuk kam asgjë, unë kam vetëm këtë gjë, ku do të fle këtë natë, jo, kjo është shtëpia ime, ku do të fle unë?”, ka thënë ajo, ndërsa merret me forcë nga policët.
Avokatja e shtetases italiane, Elona Mone tha se ajo ka një kontratë qiraje me administratorin e hotelit. Ajo konfirmon se zonja nuk është lajmëruar.
“E ka hotelin me turistë dhe në brendësi të saj ka orenditë edhe të veta”, tha Mone.
Gjithashtu avokatja e çështjes deklaron se zonja është lajmëruar të premten dhe nuk i është lënë kohë të ngrejë padi apo të përgatitet për shembjen.
“Zonja ka kërkuar leje qëndrimi në policinë e Vlorës me adresë këtë vendbanim e cila po prishet. Rezultuaka se objekti është skualifikuar, pa dijeninë e askujt, ka dalë edhe një vendim për konstatimin e kundravjatjes administrative. Nuk ka një firmë të pronarit, për ne si avokat kjo është e gabuara në bazë të ligjit sepse duhet të kishte të paktën një nënshkrim ose refuzim nga ana e pronarit që të paktën ai të ndiqte rrugën administrative. Jemi përpara disa të drejtave që po shkelen para pronarit dhe një shtetaseje italiane e cila ka nënshkruar një kontratë qiraje prej 5 vitesh. Nuk është se jam dakord për ndërtimet pa leje, patjetër shteti ka të drejtën që të ndërhyjë, por sidomos kur bëhet fjalë për shtetin italian që kemi marrëdhënie miqësore, si këtu, ne do të donim që shqiptarët që janë atje të trajtohen në mënyrë të respektuar. Nuk e di se çfarë impakti do të kemi dhe atje dhe për vendet e tjera që janë investitorë strategjikë në vendin tonë. Hoteli ka qenë me turistë, të cilët janë terrorizuar. Zonja gjithashtu ndodhet në një gjendje të terrorizuar, ne do të kërkojmë dëmshpërblim edhe për këtë”, tha avokatja.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar këtë të hënë prishjen e objekteve në bregdetin e Vlorës, ndërsa është ndalur në zonën e Radhimës.
IKMT, së bashku me forca të shumta policore kanë ndërhyrë në një hotel tre-katësh në Radhimë. Sipas IKMT ndërhyrja ishte për objektet të cilat nuk janë klasifikuar nga procesi i legalizimit.
Pronarë e hotelit janë ende në proces legalizimi dhe në proces gjyqësor me IKMT dhe disponojnë dokumentet e tokës ku është ndërtuar hoteli.
Ndërkohë hoteli i është dhënë prej dhjetorit me qira një shtetaseje italiane.
Shtetasit italianë që kanë investuar kanë deklaruar se këtë çështje do ta ndjekin deri në fund duke e cilësuar të padrejtë ndërhyrjen e IKMT-së.
Pronarët dhe të afërmit po kundërshtojnë prishjen, ndërkohë një prej tyre ka marrë fëmijën dhe ka hipur mbi tarracë, duke kërcënuar se do të hidhet nëse i prishet ndërtesa.
Disa prej banorëve dëgjohen teksa qajnë, ndërsa kanë ndërhyrë punonjësit e policisë për t’i larguar.
Top Channel