I lumtur nga fitorja e madhe, Dritan Abazoviç ka dalë në rrugë gjatë mbrëmjes së kaluar së bashku me mbështetësit. Të gjithë duartrokisnin dhe brohorisnin me të madhe, teksa hidheshin pa pushim fishekzjarre.
Të gjithë po thonin “fitore, fitore”, ndërsa Abazoviç ftoi edhe disa persona të tjerë që nuk duken në pamje, të cilëve u thotë: “Hajdeni se dhe ju keni fituar” dhe vijon atmosfera me fishekzjarre.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve për pushtetin vendor në Ulqin, koalicioni parazgjedhor, “Fillimi i ri”, i Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare si dhe tre partive të tjera, në mesin e tyre edhe Lëvizja Qytetare “URA” e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, fitoi 15 mandate në Kuvendin e Ulqinit.
Koalicioni i dy forcave politike shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Lidhjes Demokratike, fitoi 5 mandate, Forca e Re Demokratike, e cila ka dalë e vetme në këto zgjedhje fitoi 5 mandate, koalicioni i Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq me Partinë Boshnjake, 5 mandate dhe partia e spektrit politik malazez, Demokratët, fituan 2 mandate.
Gjithsej 5 lista zgjedhore morën pjesë në zgjedhjet e së dielës në komunën e Ulqinit, e banuar me shumicë shqiptare.
Top Channel