Talebanët mbyllën shkollat, vajzat afgane paralajmërojnë protesta masive

27/03/2022 17:20

Aktivistet për të drejtat e grave u zotuan të dielën të nisin një valë protestash në të gjithë Afganistanin nëse talebanët dështojnë të rihapin shkollat e mesme të vajzave brenda një jave.

Mijëra vajza të shkollave të mesme ishin dyndur në klasa të mërkurën pasi talebanët rihapën institucionet e tyre për herë të parë që nga marrja e pushtetit gushtin e kaluar.

Por zyrtarët urdhëruan mbylljen e shkollave përsëri vetëm disa orë më vonë, duke shkaktuar zemërim mbarëkombëtar.

Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Emirateve Islamike që të hapin shkollat e vajzave brenda një jave“, lexoi aktivistja Halima Nasari nga një deklaratë e lëshuar nga katër grupe të të drejtave të grave në një konferencë për shtyp në Kabul.

Nëse shkollat e vajzave mbeten të mbyllura edhe pas një jave, ne do t’i hapim vetë dhe do të bëjmë demonstrata në të gjithë vendin deri në plotësimin e kërkesave tona”, tha ajo.

Talebanët duhet të ndërtojnë më shumë shkolla për vajza në zonat rurale në vend që të mbyllin objektet ekzistuese, tha deklarata, e cila vjen pasi disa aktiviste të grave u arrestuan muajt e fundit.

Populli nuk mund të tolerojë më një shtypje të tillë. Ne nuk pranojmë asnjë justifikim nga autoritetet”, tha ajo.

Të shtunën, dhjetëra nxënëse dhe gra organizuan një protestë në Kabul duke kërkuar rihapjen e shkollave.

Gratë, mësueset dhe vajzat duhet të dalin në rrugë dhe të protestojnë”, tha studentja Zarghuna Ibrahimi, 16 vjeçe, e cila mori pjesë në konferencën për shtyp.

Top Channel