Zvicra i kërkon “ndihmë” Shqipërisë/ Policia ofron 10 mijë franga për zbardhjen e një vrasje në 1999

26/03/2022 12:13

Policia e kantonit të Zyrihut në Zvicër për herë të parë kërkon ndihmën e qytetarëve shqiptarë, duke vënë një shpërblim prej 10’000 frangash për çdo informacion që do të çoj në identifikimin dhe dënimin e autorëve të një vrasje në vitin 1999.

Në njoftimin e policisë së Zyrihut  thuhet se  më 3 nëntor 1999, në Schlieren, u plagos për vdekje nga të shtënat me armë zjarri në atë kohë një 20-vjeçar nga Maqedonia e Veriut.

Ndërsa shoqëruesi i tij u plagos.

Viktimat ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut me vendbanim në Kantonin e Solothurnit.

Si i dyshuar  u identifikua një person 18-vjeçar, nga  Shqipëria.

Për këtë shkak ai u burgos në Itali në vitin 2000 dhe u ekstradua në Zvicër në 2002.

Në mungesë të provave të mjaftueshme, procesi ndaj tij u pezullua më 2003.

Hetimet e deritashme nxorën në pah se vepra të ndryshme penale u bënë, me gjasë, nga persona të rrethit të të dyshuarit dhe të viktimës.

Ekziston dyshimi se personat e përfshirë dhe të marrë në pyetje janë kufizuar vetëdijshëm në dhënien e informacioneve,  mbi vrasësin dhe motivin e tij me qëllim që të mos e ngarkojnë veten e tyre.

Personat nga rrethi i atëhershëm i pjesëmarrësve, me njohuri mbi aktin dhe motivin, duhet të kontaktojnë,  Policinë e Kantonit të Zyrihut, duke iu vënë në dispozicion shumën e 10.000 frangave.

Top Channel