“Neni 5 i shenjtë për ne, NATO në luftë nëse…” Biden i shkon rusëve “te porta”

26/03/2022 16:17

“Nenin 5 të NATO-s, e konsiderojmë detyrim të shenjtë…”, mjaftoi kjo fjali që presidenti amerikan Joe Biden të qetësonte homologun e tij polak, Andrzej Duda duke i garantuar kështu mbështetje të plotë përballë shqetësimeve të Polonisë se pas Ukrainës, mund të jetë ajo vendi tjetër ne radhë përballë agresionit rus.

“Stabiliteti Europian është i një rëndësie kyçe për SHBA”, tha Biden, që i mëshoi idesë së përgjegjësive të mbrojtjes kolektive për vendet aleatë të NATO-s.

Neni pesë i traktatit të saj parashikon që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të Aleancës do të konsiderohet si sulm i drejtpërdrejtë kundër të gjitha palëve.

“Kriteri më i rëndësishëm në këtë botë në ndryshim është që NATO të qëndrojë absolutisht, plotësisht dhe tërësisht e bashkuar, të mos ketë ndarje në linjën e saj e mendimit, dhe çfarëdo që të bëjmë, ta bëjmë në union të gjithë së bashku”, u shpreh kreu i shtetit amerikan.

Pjesë e diskutimeve të tij më Dudën ishte dhe mënyra sesi SHBA dhe aleatët po i  përgjigjen krizës së refugjatëve që shkaktoi lufta në Ukrainë, e përpara se të kthehet në Washington, pritet të mbajë dhe një fjalim, të cilin Shtëpia e Bardhë e përshkruan si “tejet të rëndësishëm”.

Me herët, ai e sfidoi Moskën duke takuar pranë në kryeqytetin e një tjetër vendi fqinj me të, Polonisë, ministrin e jashtëm dhe atë të mbrojtjes së Ukrainës. Të pranishëm në takimin e zhvilluar në një hotel në Varshavë edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe ai i mbrojtjes, Lloyd Austin.

Top Channel