Macron hedh poshtë kërkesën e Putin: “Nuk e paguajmë gazin rus me rubla”

26/03/2022 14:11

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e refuzoi kërkesën e homologut të tij rus, Vladimir Putin, që Europa të paguajë me rubla për gazin rus. Per shefin e Elizesë, Moska thjesht po tenton në këtë mënyrë të anashkalojë sanksionet e vendosura për shkak të nisjes së luftës kundër Ukrainës.

Ky vendim i Rusisë, tha Macron për gazetarët, “nuk është në linjë me atë që është nënshkruar, dhe nuk e shoh se si ne do ta pranojmë” këtë kërkesë. Putin doli më herët gjatë javës me pretendimin që gazi rus të paguhet me monedhën kombëtare ruse, rubla, teksa Moska po përpiqet që ta mbështesë ekonominë e saj që është goditur nga sanksionet e Perëndimit për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Macron insistoi se “të gjitha dokumentet e nënshkruara janë të qarta: kjo është e ndaluar. Prandaj, europianët që blejnë gaz, e që janë në tokën europiane, duhet të paguajnë me euro”. Për këtë arsye, argumentoi ai, nuk është e mundur që sot të bëhet kjo kërkesë, që nuk është në kontratë”. Edhe  Gjermania, që është një blerëse e madhe e gazit rus, e refuzoi një kërkesë të tillë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se kontratat e nënshkruara tregojnë saktësisht se si duhet të paguhet për gazin e blerë. Europa po tenton që të ulë varësinë nga gazi rus. Por, vazhdon që të dërgojë qindra-miliona euro çdo ditë në Moskë për pagesa të energjisë, sektor që ende nuk është prekur nga sanksionet.

Top Channel