Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë ditën e sotme kërkesën e grupit të Rithemelimit të PD për ndryshimet statutore të miratuara në kuvendin e 11 dhjetorit.

Ashtu siç ishte lajmëruar, seanca gjyqësore ka nisur ditën e sotme në orën 10:30. Juristët e Rithemelimit Ivi Kaso dhe Ledio Nuraj kanë mbërritur në gjykatë.

Mbetet për tu parë nëse konflikti i brendshëm në Partinë Demokratike do të zgjidhet nga gjykata. Konflikti i brendshëm në Partinë Demokratike rrezikon të kthejë gjykatën e Tiranës në një institucion ku nuk bëhet drejtësi, por politike. Ditën e djeshme, gazetarja Anila Hoxha mësoi se gjyqtari Agron Zhukri nuk mund të shqyrtojë këtë kërkesë të Rithemelimit për ndryshimin e statutit bazuar në Kuvendin e 11 dhjetorit sepse nuk ka asnjë dokument për të pasi fashikulli ndodhet në Apel.

Burimet jo zyrtare i thanë gazetares Hoxha se ky do të ishte një rast i paprecedentë në historinë e drejtësisë, ku nis gjykimi për një çështje kur duhet të mbetej në pritje të asaj që do shpallë Apeli.

Ndërkohë dosja e ndryshimeve statutore të PD ndodhet në Apel, pasi PD kundërshtoi vendimin e ndërmjetëm të gjyqtares përkatëse për të bashkuar në një çështje ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 Korrikut dhe ndryshimet statutore të 11 Dhjetorit.

Këto të fundit i përkasin Komisionit të Rithemelimit, që ka shkarkuar çdo strukturë drejtuese të PD.

Top Channel