Diplomacia amerikane dhe evropiane përballë sulmit të Rusisë në Ukrainë

25/03/2022 17:29

Ishte një ditë e rëndësishme jo vetëm në diplomaci, por në histori, me presidentin Joe Biden që takoi udhëheqësit e NATO-s, ata evropianë dhe të G7-ës duke shpallur më shumë masa që synojnë ndalimin e sulmit të Rusisë në Ukrainë përmes ndihmave ushtarake, ekonomike dhe humanitare.

Presidenti Joe Biden u takua të enjten me udhëheqësit e NATO-s, G-7ës dhe Bashkimit Evropian për të trajtuar atë, që ai e cilësoi si kërcënimin më të madh për sigurinë globale që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa sulmi rus ndaj Ukrainës hyri në muajin e dytë, me mijëra civilë të vdekur dhe miliona refugjatë që largohen nga vendi.

Ai tha se 30 vendet e NATO-s mbeten të vendosura dhe të bashkuara përballë sulmit rus ndaj Ukrainës nën komandën e presidentit rus Vladimir Putin.

“Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar. Bota vazhdon të përqendrohet në atë se sa i dhunshëm është ky njeri, tek gjithë jetët e njerëzve të pafajshëm, që po zhduken dhe shkatërrohen dhe në atë çfarë po ndodh. Kjo është e rëndësishme. Por, nëse je Putini dhe mendon se Evropa do të thyet brenda një muaji, gjashtë javësh apo dy muajsh, pse jo? Ata mund të marrin gjithçka për një muaj tjetër. Por ne duhet të demonstrojmë – dhe kjo është arsyeja që kërkova takimin – se qëndrojmë plotësisht, dhe tërësisht të bashkuar”, tha presidenti Biden.

Presidenti tha gjithashtu se nëse Rusia do të përdorte armë kimike…

“Do të përgjigjemi. Ne do të përgjigjemi nëse ai i përdor ato. Natyra e përgjigjes do të varej nga natyra e përdorimit”.

Presidenti Biden njoftoi gjithashtu 1.3 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të hapin dyert për 100,000 refugjatë ukrainas dhe do të sanksionojnë më shumë persona nga elita ruse, rreth 40 kompani ruse të mbrojtjes dhe 300 ligjvënës rusë.

Presidenti i Ukrainës mori pjesë virtualisht në takimin e NATO-s dhe mbajti një qëndrim të prerë ndaj 30 udhëheqësve, megjithëse zyrtarët amerikanë theksuan faktin se ai nuk e përsëriti kërkesën e tij të mëparshme për një zonë të ndaluar fluturimi ose për anëtarësim në NATO. Të enjten ai bëri kërkesa specifike.

“Ju keni të paktën 20,000 tanke. Ukraina kërkoi 1 për qind të të gjitha tankeve që dispononi. Na i jepni ose na i shisni. Por ne nuk kemi ende një përgjigje të qartë. Gjëja më e keqe gjatë luftës është të mos kesh përgjigje të qarta ndaj kërkesave për ndihmë”, tha presidenti ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca ushtarake po rrit mbrojtjen e saj kundër armëve kimike dhe bërthamore, pasi po shtohet shqetësimi se Rusia mund të përdorë armë të tilla në Ukrainë.

Ai njoftoi gjithashtu formimin e katër grupeve të reja luftarake – në Bullgari, Rumani, Hungari dhe Sllovaki – diçka që udhëheqësit e Evropës Lindore thonë se është urgjentisht e nevojshme.

“Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona. Putini nuk mund ta fitojë këtë luftë. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, por gjithashtu për sigurinë e NATO-s. Pika e dytë që duhet të diskutojmë është si të rrisim shpenzimet tona të mbrojtjes dhe si ta bëjmë këtë me shumë mençuri, në mënyrë që të forcojmë krahun lindor dhe veçanërisht vendet baltike, sepse nuk mund të kemi më planin që të mbrojmë vendin vetëm dhe më pas të çlirohemi”, tha Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë.

Ndërkohë, vetëm 2000 kilometra nga Brukseli, Ukraina mbylli një muaj lufte, me mijëra civilë të vrarë dhe sipas Kombeve të Bashkuara, me më shumë se 3.6 milionë refugjatë. Për ata ukrainas, asgjë nuk do të jetë më njësoj./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA