Zelesnky falenderon Greqinë për ndihmën humanitare në Mariupol

24/03/2022 08:56

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falenderuar ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias për ndihmën e Greqisë në lidhje me korridoret humanitare në Ukrainë.

I jam mirënjohës ministrit të jashtëm grek, i cili ishte i pari midis zyrtarëve të lartë evropianë që vendosi të mbështesë punën e autokolonave tona humanitare në Mariupol për të evakuuar njerëzit tanë nga qyteti dhe për të ofruar ndihma humanitare e cila është jetike për të gjithë”, u shpreh Zelensky.

Më herët, Nikos Dendias në një takim që ka pasur për të nderuar konsullin grek në Mariupol, diplomati i fundit i huaj që u largua nga ky qytet, ka deklaruar se do të udhëhiqte vetë një mision humanitar me ndihma për qytetarët e Mariupolit , duke kërkuar nga Moska të mos e ndalojnë dhe  nga Kievi ta ndihmojnë.

Kërkoj sot t’i dërgohet një notë zyrtare palës ukrainase për të lehtësuar dhe palës ruse një notë tjetër për të mos penguar dërgimin e ndihmave humanitare në Mariupol. Unë synoj ta shoqëroj personalisht këtë ndihmë në koordinim me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, z. Maurer, me të cilin tashmë jemi në kontakt”, tha Dendias.

Me një postim në “Twitter” mesditën e se mërkurës ministria e Jashtme greke njofton se Nikos Dhendias kishte edhe një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, pas thirrjes së tij, në të cilën e falenderoi për iniciativën e tij për të shoqëruar ndihmat humanitare drejt Mariupolit.

Athina zyrtare shpreh çdo ditë shqetësimin e saj për këtë qytet martir dhe homogjenët grekë atje, pasi ka javë që bombardohet dhe mbi 100.000 banorë ndodhen ende të izoluar mes dy zjarreve , ndërsa nuk dihet numri i viktimave dhe të plagosurve.

Prania greke në zonat rreth detit Azov ku jetojnë tashmë mbi 150.000 homogjenë grekë është e njohur që në shekullin e VII para Krishtit, ndërsa edhe Odessa konsiderohet si djepi i Revolucionit Grek të 1821, pasi aty ndodhet edhe shtëpia muze e Shoqërisë së Miqve , një prej organizatave më të rëndësishme që përgatitën kryengritjet greke ndaj Perandosisë Osmane.

 

Top Channel