“S’do të dalësh e gjallë nga kjo shtëpi”/ E dhunoi dhe hodhi nga ballkoni, detajet horror nga ngjarja e rëndë në Kamzë

24/03/2022 15:00

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kamëz, ku gruaja deklaroi në polici se ka rënë nga ballkoni, por rezultoi se partner i saj 62-vjeçar e kishte dhunuar dhe hedhur nga kati i tretë.

Rezulton se partner i saj 62-vjeçar e kishte dhunuar dhe hedhur nga kati i tretë.

Ka qenë vajza e saj ajo e cila ka zbardhur më shumë detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Kamëz me anë të një incizimi zëri.

“Më merr tezja dhe më thotë se ku isha, pasi e kishte marrë në telefon komshiu duke i thënë se mami kishte marrë shumë dëmtime dhe kishte qenë në gjak, në moment un kam lënë punën dhe i jam drejtuar spitalit ushtarak. Pas pak kam hyrë në reanimacion dhe pash mamin që kishte shenja dhune, fryerje balli, çarje të hundës dhe në pjesën e qafës kam parë një gërvishtje, dhe në atë moment jam trollomaksur dhe pasi më shikonte mua nuk fliste por vetëm qante. Mami nisi të më shpjegonte se atë ditë pasi ishin kthyer nga puna, kishin nisur me debate xhelozie për punën e telefonit pasi mami nuk ka telefon sepse ai nuk ia len. Vëllai është regjistruar në një shoqatë bamirësie dhe duke patur kontakt mëe to, mami ka lënë numrin e Dilaverit pasi është prezantuar si daja, për tetë marsin kanë ardhur urime dhe ky i ka kërkuar llogari. Në moment që gruaja është justifikuar rreth debatit të krijuar ka nisur edhe dhuna ndaj saj”, rrëfeu vajza.

“Aty ka nisur duke e qëlluar me grushte, shkelma, duke e përplasur tek dera dhe e kishte marrë duke e rrahur me rrip pantallonash, duke i thënë se do të të mbys fare dhe duke e sharë e kanosur me fjalë banale , duke i mbyllur dyert dhe dritaret që të mos dëgjohej. E kishte rrahur aq shumë sa i kishte rënë të fikët. Më përpara i kishte kërkuar ujë por nuk ia kishte dhënë duke ja hedhur fytyrës dhe në atë gjendje kishte humbur ndjenjat dhe nuk mbante mend asgjë, vetëm kishin kërkuar ta ndihmonin. Nuk mbante mend asgjë vetëm e kishte parë veten poshtë pallatit duke pasur rrjedhje gjaku dhe duke kërkuar ndihmë”, shtoi me tej ajo.

E dëmtuara kishte thyerje të legenit si dhe dëmtime te tjera trupore por pa qenë në gjendje të komunikonte, për këtë arsye materialet i janë nisur prokurorisë si gjendje aksidentale.

Shtetasja V. H. ka qenë në reanimacion, ndërsa Dilaver Idrizi ka qenë gjithmonë në spital kur bashkëjetuesja e saj po kurohej.

“Nuk do të dalësh e gjallë nga kjo shtëpi” dhe “do të të vras” kanë qenë disa nga kërcënimet e Dilaverit ndaj bashkëjetueses.

Dhuna ka qenë e pranishme që në fillim të lidhjes për shkak të xhelozisë por ishte munduar ta mbante lidhjen për shkak të fëmijëve, pavarësisht se ata  kanë qenë prezent në disa raste dhune.

Ka qenë vajza tashmë e martuar ajo e cila ka dhënë më shumë detaje nga situatat midis çiftit ndërsa vëllai i saj vazhdon studimet në Turqi. Ajo ka treguar se shumë herë kanë parë dhunën që ai ka ushtruar ndaj mamasë.

Dilaveri ka deklaruar se ka qenë në banesë në kuzhinë , ku dera e kuzhinës ka qenë e afruar dhe në atë moment ka dëgjuar se dikush i binte derës shumë fort dhe kanë thënë të hapën se “Valbona është poshtë pallatit dhe po vdes”.

“Bona eme dhe i thash se është ne dhoma tjetër dhe kam thirr Bona, Bona, por nuk është përgjigj dhe më thanë merr makinën dhe dërgoje në spital”, ka thënë bashkëjetuesi.

E dëmtuara ka deklaruar se në momentin që bashkëjetuesi i saj ka filluar të ushtrojë dhunë, ai ka mbyllur dyer dhe dritare për mos u dëgjuar zhurmat jashtë, por ndërsa presioni ka qenë i vazhdueshëm që ajo të mos tregonte se si kishte ndodhur.

Pas deklaratave të vajzës është bërë i mundur arrestimi në iniciativë i shtetasit Dilaver Idrizi i dyshuar si autor i kësaj ngjarjeje, për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë.

Top Channel