Homazhe për Madeleine Albright, mikja e shqiptarëve qe ndryshoi botën post-sovjetike

24/03/2022 12:19

Vlerësimet kanë vërshuar për Madeleine Albright, sekretarja e parë femër e shtetit amerikan në histori qe ende sot njihet si “kampionia e demokaracisë”.

Emigrantja ceke që u shndërrua në një veterane të politikës së jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe që u ngjit deri në nivelin e kryediplomates në 1997-tën në qeverinë Clinton, u shua në moshën 84-vjeçare nga sëmundja e kancerit.

SHBA e kujton si politikanen që ndihmoi administratën e atëhershme amerikane të ravijëzonte një botë post-sovjetike, shqiptarët e kujtojnë si miken e tyre, dhe si një figurë instrumentale për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë.

Në vitin 1999 Albright mbështeti me forcë dhe këmbënguli për operacionin e NATO-s kundër Serbisë në konfliktin e Kosovës, edhe pa mandat të OKB-së, për t’i dhënë fund masakrës ndaj shqiptarëve. Gjatë kësaj kohe ajo u takua edhe me ministrin e Jashtëm gjerman Joschka Fischer, i cili më vonë u bë mik i saj. “Të paktë janë liderët që përshtaten aq mirë sa ajo me kohën në të cilën kanë shërbyer”, thanë në një deklaratë të tyre Bill dhe Hillary Clinton.

Madeleine e dinte se vendimet e politikës amerikane kishin fuqinë të ndryshonin jetën e  njerëzve në mbarë botën, ajo e shihte punën e saj si një detyrim dhe si një mundësi“, theksuan ata më tej. Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshkroi  Albright “si një forcë të lirisë, ish-presidenti i SHBA Xhorxh W Bush tha se ajo e kuptoi që në fillim “ rëndësinë e shoqërive të lira për paqen në botën tonë”, ndërsa sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, shkroi në Twitter se “sot më shumë se kurrë, bota duhet të qëndrojë pranë vlerave të Albright”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkroi se “jeta e Madeleine Albright ishte personifikim i ëndrrës amerikane, ngritja nga refugjate në Sekretaren tonë të parë të Shtetit. Udhëheqja e saj e guximshme në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Përparimi i Kosovës është një nderim i vazhdueshëm për trashëgiminë e saj”, u shpreh ai.

Top Channel