Mikja e Shqipërisë/ Ndërron jetë ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright

23/03/2022 19:49

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, Madeleine Albright, gruaja e parë që u bë Sekretare e Shtetit në SHBA.

Lajmin e dha familja e saj, e cila tha se ish-sekretarja ndërroi jetë nga sëmundja e kancerit.

“Ne kemi humbur një nënë, gjyshe, motër, teze dhe mike të dashur dhe një kampione të palodhur të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratën e familjarëve.

Albright është cilësuar si “mike e shqiptarëve”, pasi ajo ishte në pozitën e Sekretares së Shtetit në kohën e luftës në Kosovë dhe kishte një rol vendimtar në organizimin dhe zhvillimin e Konferencës së Rambujesë, që rezultoi me ndërhyrje të NATO-s në Kosovë dhe ndërprerjen e dëbimit dhe vrasjeve të popullit të Kosovës dhe me lirinë e saj.

Madeleine Albright, ishte një emigrante çeke që u bë sekretarja e parë femër e shtetit në historinë e SHBA-së në vitin 1997 gjatë qeverisë Klinton. E njohur si “një kampione e demokracisë”, Albright u përpoq për një kohë të gjatë për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë.

Albright ishte vajza e një diplomati çekosllovak i cili u detyrua të emigronte pas pushtimit të vendit të tij nga Gjermania naziste në 1939.

Ajo u transferua në Shtetet e Bashkuara në vitin 1948, në të njëjtin vit që familja e saj aplikoi për azil politik, me argumentin se ata nuk ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi si kundërshtarë të regjimit komunist të vendit të tyre. Ajo u bë një shtetase amerikane në vitin 1957.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel