“Është i Putinit”/ Misteri i superjahtit 700 milionë dollarësh “po gërryen” Italinë

23/03/2022 14:48

Prej disa muajsh, një superjaht misterioz 140 metra i gjatë me gjashtë kate, ngrihet mbi varkat e tjera më të vogla në portin e Marina di Carrara, qytezë e vogël në në bregdetin toskan të Italisë, duke ngjallur mes vendasve, e jo vetëm, një kërshëri lidhur me identitetin e pronarit të tij të pasur.

Është jahti më i madh që kam parë ndonjëherë këtu“, tha për the Guardian Suzy Dimitrova, e cila zotëron një varkë mjaft më të vogël.

Ka njerëz që e pastrojnë atë gjatë gjithë kohës. Hera e fundit që e pashë të largohej nga porti ishte vitin e kaluar. Të gjithë pyesim veten se kush është pronari”, shprehet ajo. Scheherazade, që thuhet se ka vlerë 700 milionë dollarë, është nën hetim nga autoritetet italiane për lidhje të mundshme me oligarkët e sanksionuar rusë.

Aktivistët që punojnë me liderin e burgosur të opozitës ruse Alexei Navalny nuk kanë asnjë dyshim se jahti është në pronësi të vetë presidentit Vladimir Putin. Gazetarja investigative Maria Pevchikh dhe aktivisti kundër korrupsionit Georgy Alburov thanë së fundi, se të gjithë anëtarët e ekuipazhit, të marrë nga një listë që daton në dhjetor 2020, ishin rusë, përveç kapitenit.

Ata pretendojnë se një pjesë e stafit të jahtit punon për Shërbimin Federal rus të Mbrojtjes, një agjenci që menaxhon sigurinë e zyrtarëve të lartë, përfshirë Putinin. Në fjalimin e mbajtur të martën në parlamentin italian, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i kërkoi Romës që ta sekuestrojë jahtin dhe kujtoi se Putini dhe mbështetësit e tij të pasur shpesh i kalonin pushimet në Itali, ndërsa bëri thirrje që atyre t’u bllokohen asetet.

Top Channel