Mori titullin ‘qytetar nderi’ në Vlorë, Soreca reagon në Twitter: Ky qytet dëshmon fuqi transformuese

21/03/2022 18:00

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka marrë titullin qytetar nderi për Vlorën. Titulli i qytetarit të nderit u prezantua nga drejtuesja e këshillit bashkiak të Vlorës Migena Balla dhe iu dorëzua ambasadorit nga kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli.

Me anë të një reagimi në Twitter, Soreca falenderon partneritetin për integrimin e Shqipërisë.

“Falenderues për Këshillin Bashkiak dhe kryetarin e bashkisë të Vlorës, Dritan Leli që janë partnerë kaq të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për të sjellë Shqipërinë më afër BE. Jam shumë mirënjohës që u bëra qytetar nderi i këtij qyteti vërtet europian që dëshmon fuqinë transformuese për integrimin në BE”, shkroi Soreca.

Ndërsa Dritan Leli shkruan se ceremonia e sotme ishte përshëndetje e përkohshme ndërsa e cilëson Sorecën si njeri të rritur afër detit që e do shumë Vlorën.

“Në krye të rrugëtimit të tij në Shqipëri, me ndalesa shenjuese veçanërisht në Vlorë, pata nderin t’i jap titullin ‘Qytetar nderi i Vlorës’, Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Ceremonia e sotme ishte vetëm një përshëndetje e përkohshme sepse vizitat e tij në Vlorën që e do aq shumë, si një njeri i rritur afër detit, do të jenë të gjithëhershme. Do të mbetet njësoj e pandryshueshme mikpritja ime dhe e vlonjatëve për njeriun që u kujdes për zhvillimin e qytetit, siç do të kujdesej për një tokë që dielli, deti e historia, e kanë lidhur gjithnjë me të tijën. Bashkë me të e prej tij, Evropa ka qenë këtu!”, shkruan Leli.

Top Channel