Paketa, ndihmë e pabarabartë! Për fermerët 500 milion shtesë, por skema është e komplikuar

16/03/2022 19:39

Shkëlqim Tota, në fshatin Cerkezë Morinë të Zallherrit, në tokën e marrë me qira nga shteti ka mbjellë 1200 rrënjë ullinj.

Ai thotë se prej 11 vitesh i është përkushtuar punëve të bujqësisë, por sot është hera e para që do të aplikojë për të përfituar subvencion nga Skema Kombëtare. Edhe pse aplikimi mund të bëhet online nëpërmjet një telefoni smart në portalin e-albania, ai preferoi të trokasë në derën e agro-pikës në Tiranë.

Edhe ne si ullishtar mund të përfitojmë nga skema e naftës. Duke qenë se sistemi është pak i ngarkuar unë i besova agro-pikës sepse mund të bëja dhe ndonjë gabim nëpërmjet telefonit”, thotë fermeri Shkëlqim Tota.

Ina Majaci: Përshëndetje, si kaluat? Kam ardhur të aplikoj për skemën e naftës pasi jam fermer dhe kam një ullishte.

Po patjetër më duhet karta e ID, nuk e di nëse e keni tokën në pronësi ose me qira? Me qira e kam kontratën.

Ina Majaci: Shumë mirë, atëherë kam nevojë dhe për Nipt-in e fermerit.

Për të kryer aplikimin duhet të logohen në e-albania si biznes për të përfituar nga skema e naftës në ndihmë për fermerët. Fillimisht tek identifikimi shënojmë Nipt-in e fermerit vendosim fjalëkalimin dhe kërkojmë shërbimin që është Skema Kombëtare dhe në këtë rast kemi aplikimin për karburant në bujqësi. Klikojmë përdor dhe krijojmë një aplikim të ri, më tej vendosim adresën e aktivitetit bujqësor. Pasi kemi vendosur statusin e pronës menjëherë sistemi na kërkon që të ngarkojmë marrëveshjen e qirasë, kështu vendosim dhe deklarimin e pemtores. Pasi jemi konfirmuar që çdo e dhënë është e saktë klikojmë dërgo. Aplikimi përfundoi me sukses.

Deri më tani mbi 18 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar naftën pa taksa. Buxhetit për bujqësinë nga 3.2 miliard Lekë, me Paketën e Rezistencës Sociale plus 500 milion Lekë do t’i jepen fermerëve për naftën e zhveshur nga taksat.  Por a është ky fond I mjaftueshëm për bujqësinë shqiptare?

Ne presim aplikime dhe aplikimet që kemi deri më sot mbulohen kërkesat. Për disa nga masat kemi parimin që kush aplikon i pari. Përfiton i pari nëse ka më shumë aplikime se sa buxheti vë në dispozicion”, shprehet drejtoresha e AZHBR-së, Eranda Selmanaj.

Për të përfituar mbështetjen financiare nga Skema Kombëtare, fermerët kanë të drejtë të aplikojnë deri në datën 25 mars.

Top Channel